Kryeministri Edi Rama priti me kritika kryebashkiakët e vendit që nuk kanë dorëzuar hartat me zonat prioritare ku mund të zhvillohet Paketa e Maleve.
Gjatë një takimi me ta, kreu i qeverisë u shpreh se drejtuesit e bashkive nuk mund të tregohen neglizhentë pasi qytetarët kanë treguar interes për të investuar.
“Kjo vonesë është dekurajuese për ata që e kanë çuar sinjalin e tyre që janë të interesuar të hyjnë në proces prej disa muajsh nuk kanë marrë përgjigje. Kjo është e kundërta e frymës me të cilën u konceptua dhe u aprovua kjo paketë”, tha Rama.
Me batuta, nuk toleroi as kryebashkiakët e djathtë, teksa kërkoi një task-forcë që do të piketojë zonat ku mund të investohet.
“Edhe Memaliaj e Fushë Arrëzi që janë hudhrat që na mbrojnë nga syri i keq me lëkurën e tyre blu, nuk na kanë sjellë gjë, kështu që iu kanë shpëtuar nga vënia në pozitë të vështirë. Kjo tregon që si majtas si djathtas, shqiptarët flenë gjumë. Brenda muajit tetor, duhet të vijnë të gjitha harta”, theksoi ai.
Përsëriti sërish se me anë të Paketës së Maleve, qytetarët që më herët nuk kanë pasur tapitë e tokave të tyre do të kenë lehtësi në marrjen e dokumenteve.
“Një pronë që e disponon defacto por nuk e disponon me letra, dhe për këtë arsye unë i kam thënë disa deputetëve që të bëjnë amendimet përkatëse të ligjit dhe me shpejtësi të lehtësohet ligjit nga ngarkesat e tepërta. Ngarkesat nuk kanë lidhje me vonesën nga ana juaj”, tha Rama.
Sipas të dhënave, 4 mijë qytetarë kanë shprehur interesin për të përfituar nga paketa e maleve./vizionplus.tv





