Kryeministri Edi Rama e nisi mëngjesin e kësaj të hëne duke publikuar foto të projektit të Teatrit të ri Kombëtar.

Në “Facebook”, ai u shpreh i sigurtë se pas gjithë rrëmujës së bërë të dielën, të gjithë do ta pëlqejnë godinën e re të teatrit.

“MIRËMËNGJES😊 me projekt-idenë e Teatrit të Ri Kombëtar, konceptuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels🙏 Duke ju uruar një javë të mbarë, dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje… Përvoja na mësoi se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltuara e masakruara pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetra e dhjetra vite, do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë; publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë; Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera, një tjetër destinacion kulturor të përmasave europiane në çdo aspekt🙏”

E diela qe një ditë e trazuar për Tiranën. Rreth orës 4.00 të mëngjesit fadromat dhe forca të shumta policie rrethuan godinën e teatrit dhe nisën shembjen.

Kjo u shoqërua me protesta dhe kundërshtime nga ana e artistëve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe opozitës. Këtë të hënë në orën 16.30 është paralajmëruar sërish protestë, pjesë e së cilës do të jenë edhe opozitarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *