Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho shprehet se kryeministri Edi Rama është tmerruar nga rezultati i parashikueshëm në zgjedhjet e ardhshme, prandaj po përpiqet të tensionojë klimën politike.

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, ish-deputeti  akuzon kreun e qeverisë se i intereson vetëm ruajtja e pushtetit të tij personal dhe jo qytetarët shqiptarë, ndësa theksoi se PD do të garantojë rotacion politik.

“Edi Rama është tmerruar nga rezultati i pritshëm i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Po përpiqet të tensionojë klimën politike. Ai dje u tha shqiptarëve që e ka hedhur poshtë marreveshjen e 5 qershorit për Kodin Zgjedhor, sikur ka hedhur poshte edhe rrugën për Integrimin Evropian. Marreveshja është kushti i parë i plotësuar deri më tani për rrugën e Shqipërisë drejt BE. Atij i intereson pushteti personal dhe një grup i vogël, të cilëve iu ndan paratë e buxhetit të shtetit. Duhet ta ketë të qartë që rotacioni politik me hir apo pahir do të ndodhë, është vullenti i shqiptarëve për ta hedhur në kosh qeverisjen e Ramës, e cila i ka sjellë kaq shumë dëme popullit.”

Sipas Spahos, problemi kryesor në Shqipëri nuk është vetëm hapja e listave, por blerja e votave përmes krimit të organizuar.

“Nuk është çështje listash. Naivët mendojnë se me hapjen e listave, popullit do t’i kthehet demokracia.  Problemi themelor i zgjedhjeve në Shqipëri nuk janë listat, problem është krimi i organizuar, si blerja e zgjedhjeve. I keni parë shembujt e shumtë. Përpara se të mbështetemi tek sistemi, duhet të merremi se si t’i largojmë kriminelët nga zgjedhjet në Shqipëri. Në zgjedhjet e 2017, 21 për qind e qytetarëve shqiptarë iu janë ofruar para në këmbim të votës. Mos të bëjmë akrobacira me sistemin, apo të ndalojmë krimin e koalicioneve. Të jeni të sigurt që do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar rotacionin politik për Edi Ramën.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *