Sulmet mbi iniciativën “Ballkani i Hapur” kanë ngacmuar edhe njëherë retorikën kritikuese të kryeministrit Rama ndaj qëndrimit kundërshtues të Kosovës.

 

Në një shkrim të gjatë në rrjetet sociale, kreu i ekzekutivit nuk kursehet t’i mësojë Prishtinës zyrtare se si duhet të sillet në raport me ndërkombëtarët, fqinjin verior dhe vendet e rajonit. Rama nënvizon se nuk do të heqë dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik dhe social në “Ballkanin e Hapur, përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia.

 

Kryeministri refuzon të quhet tradhëtar duke kujtuar se ishte pikërisht ai që në mes të Beogradit foli me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia.

 

Por Rama nuk ngurroi as të fyejë njërin nga kryeministrat e Kosovës, Ramush Haradinajn, duke thënë se ka humbur rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës për shkak të sjelljes së tij jo të përshtatshme.

 

Pjesë nga reagimi i Edi Ramës:

 

Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian?

 

E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike.

 

A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *