Kryeministri Edi Rama u kërkon ndjesë të gjithë komentuesve në rrjetet sociale për “përplasjet” me ta.

Ai shkruan në “Facebook” se nuk ka aspak si qëllim që të ofendojë ata, por thjesht u kthen përgjigje atyre që shajnë pa u ndalur.

“Kush nga ju ka menduar se e kam fyer në replikat e mia këtu, ndjesë! Nuk është kurrë ky qëllimi dhe as arsyeja pse unë replikoj me ju në këtë faqe, qofshin edhe urrejtësit e mi më të mëdhenj ata që kundërshtoj! Unë s’kam kurrsesi asgjë personale me askënd nga ju, as ju njoh e as nuk e di kur jeni prej vërteti e kur fallcoprofil, po thjesht debatoj, pa dorashka, sy për sy e dhëmb për dhëmb siç i thonë, me ata që sulmojnë e shpeshherë shajnë e fyejnë pa frena fare, se përndryshe pse na duhet kjo faqe! Disa thonë që tallem, por jo, kurrsesi, përndryshe nuk do harxhoja asnjë sekondë me replika e me bam e bume këtu…”

Në veçanti, kreu i qeverisë u drejtohet mbështetësve të PD. Sipas Ramës, ata që komentojnë në postimet e tij janë më të përgatitur sesa vetë përfaqësuesit e PD.

“Ka dhe disa demokratikas të paepur, që kujtojnë se bëjnë luftë politike me mua këtu e shajnë e nuk pushojnë, mendim ndryshe thonë, por jo, sharja s’është mendim fare apo jo?! Megjithatë as ata s’dua t’i bëj të ndjehen keq! Në asnjë mënyrë! Debati më tërheq shumë me të gjithë ju dhe me ta sidomos, e të ma bëjnë hallall, sepse kur se kam dot debatin politik me ata që demokratikasit e kesaj faqeje votojnë (janë pa lidhje fare të votuarit e tyre, “popull kot” kur i thonë!), s’kam me kë debatoj tjetër më mirë sesa me ta direkt – meqe ra llafi, po ua them: Jeni padiskutim më të vështirë në debat se ata që ju përfaqësojnë në mexhelis, Grupi 7X7=42 e kam llafin🙂 Nejse, s’po e zgjas më tutje dhe realisht, ndjesë edhe demokratikasve më heroike, nëse e kam bërë të ndjehen keq me replikën time – po prapëseprapë s’më rrihet, ç’vlerë ka të humbim kohë këtu, nëse nuk përplasemi sinqerisht dreqi e mori?! Përqafime pa parti🤗”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *