Subscribe

Ndërsa opozita shqiptare kërcënon se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, Departamenti Amerikan i Shtetit u bën apel forcave politike në Shqipëri, që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor. Qëndrimi është shprehur qartë nga zëvendës sekretari amerikan i Shetrit, Thomas Shannon gjatë takimit që pati në Uashington me shefin e diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati.

 

Zyrtari amerikan bëri thirrje që te gjitha gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Bushati e Shannon diskutuan për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në kuadër të partneritetit strategjik, si dhe rritjen e bashkëveprimit në përballjen e sfidave të përbashkëta, si lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ministri e njohu Shannon me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, kryesisht reforma në drejtësi dhe përpjekjet për zbatimin e vetting-ut. Zëvendës sekretari theksoi mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për zbatimin e kësaj reforme, si dhe angazhimin e përbashkët në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.

 

Bushati është takuar në Uashington edhe me nënsekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa Ëhelan me të cilën bisedoi për bashkëpunimin për sfidat e sigurisë, rolin e Shqipërisë në misionet e operacionet e NATO-s dhe kontributin në luftën kunder terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

 

Takimi mes Shannon e Bushatit është publikuar edhe në faqen e Departamentit të Shtetit. Pas deklaratës së DASH reagoi edhe kryeministri Edi Rama. Lideri i mazhorancës, në një postim në Facebook ngre pyetjen: Kush gënjen? Pas Shtëpisë së Bardhë, edhe Departamenti i Shtetit kërkon reformën në drejtësi dhe pjesëmarrjen e të gjitha partive në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, – thekson kreu i qeverisë.

 

 

“KUSH GËNJEN (22)

 

Pas Shtëpisë së Bardhë edhe Departamenti i Shtetit kërkon reformën në drejtësi dhe pjesëmarrjen e të gjitha partive në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Ja edhe njoftimi i plotë, publikuar në faqen zyrtare të DASH:

 

“Ambasadori Thomas A. Shannon, Nënsekretar i Shtetit për Çështjet Politike, u takua sot me Ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati për të adresuar interesat e përbashkëta në marrëdhëniet tona bilaterale dhe rajonin. Nënsekretari rikonfirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen tonë të fortë për përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi dhe angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ambasadori Shannon theksoi gjithashtu rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, shkruan Kryeministri Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *