Subscribe

Pak minuta para nisjes së takimit të parë në Kosovë, ku ndodhet për një vizitë dy ditore, kryeministri Edi Rama e priu takimin me kryetarin e Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj, me njoftimin e arsyes së vizitës dhe ritheksimin e qëndrimit të tij për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!

Me një agjendë të ngjeshur, kreu i qeverisë do të takohet me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, kryeministrin Abdullah Hoti dhe në mbyllje të ditës së parë të vizitës me dy të akuzuarit nga prokurori special, Kadri Veselin, kryetarin e Partisë Demokratike dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.Të martën, Edi Rama pritet të ketë një takim me Albin Kurtin, ish kryeministrin e Kosovës.

Vizita vjen pas vënies nën akuzë të dy përfaqësuesve të lartë të politikës kosovare, aktakuzë që çoi në anulimin e takimit në Uashington mes presidentëve të Kosovë dhe Serbisë, tre ditë para zhvillimit të tij.

Të Enjten, pas publikimit të aktakuzën kryeministri Edi Rama nga foltorja e parlamentit foli për një drejtësi eksperimentale dhe selektive ndërkombëtare ndaj hetimeve të kryera përgjatë luftës Kosovë Serbi.

Pasi e cilësoi si një fletërrufe e dalë nga revolucioni kinez kulturor, kreu i qeverisë doli në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj. Për Edi Ramën, aktakuza përmbysi peshoren e drejtësisë duke mbështetur xhelatin dhe jo viktimën

Deklarata në parlament u pasua nga një vizitë jo zyrtare e Hashim Thaçit në Tiranë. Presidenti i Kosovës pati një takim, po jo zyrtar, me kryeministrin Edi Rama në vilën qeveritare në Vlorë.

Të Dielën në mbrëmje Hashim Thaçi kishte njoftuar një konferencë për shtyp pas akuzave të ngritura ndaj tij, por e anuloi atë, për ta mbajtur sot, në orën tetë të mbrëmjes, pas takimit që do të ketë me Edi Ramën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *