Kryeministri Edi Rama ndau një rast në “Facebook” që sipas tij, duhet të shërbejë si mësim për të gjithë të tjerët.

Ai tha se një djalë me COVID-19, por pa simptoma, ka udhëtuar nga Tirana në një zonë tjetër dhe ka infektuar edhe dy prindërit e tij të moshuar.

“🔴 NJË LAJM I KEQ NGA TESTIMET E DJESHME, QË DUHET TË VLEJË SI MËSIM PËR TË GJITHË😢😡 Djali me Covid19, pa simptoma, thyen rregullin e del nga Tirana drejt një zone tjetër të vendit, ku jetojnë dy prindërit e tij të moshuar. U shkon prindërve në shtëpi dhe u transmeton bombat në trup! Prindërit dalin të dy pozitivë dhe jo vetëm mosha, po edhe shëndeti i tyre i kthen në pacientë me jetën në rrezik!!!”

Kreu i qeverisë paralajmëroi se për të riun do të ketë ndëshkim për veprimin e kryer. Në këtë mënyrë, ai bëhet shembulli i parë që ndëshkohet me Kodin Penal të ndryshuar.

Rama u bëri thirrje njerëzve që të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë që nuk kemi të bëjmë me një lojë.

“Natyrisht që për djalin do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet jo vetëm administrativisht, po edhe penalisht, por si mund t’u bëhet një “peshqesh” i tillë njerëzve më të dashur në botë?! A e kuptoni se kjo nuk është lojë?! A e kuptoni se në këtë luftë, kush shkel rregullat nuk ia hedh shtetit, po ia fut vetes dhe familjes së tij?! A e kuptoni se duke u hapur më tej, ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?!”

Sipas Edi Ramës, rreziku është aq i madh, saqë mund të shndërrohemi në vrasës të njerëzve tanë.

“Lus Zotin që ata dy pleq të mos ikin nga kjo botë e të mos mbeten pishmani i jetës së atij djali të papërgjegjshëm dhe ju lutem të gjithëve: M🚫S! M🚫S! M🚫S! 🔴 STOP ME HILET E ME KARAGJOZLLËQET, SEPSE MUND TË BËHENI MOSOZOT, VRASËS TË NJERËZVE TUAJ MË TË SHTRENJTË🚫”

Këtë të premte u shtuan edhe 15 të infektuar të tjerë, duke e çuar numrin total në 678.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *