Ultimatum, vetëm dy javë kohë për të hequr të gjitha format e privatizimit të pronës publike pa të drejtë, ky ishte vendimi që kryeministri Edi Rama u përcolli sot bizneseve private që kanë abuzuar me ambientet rreth e përqark biznesit të tyre.
Rama: Dua të sqaroj dhe një element tjetër, do i bëj thirrje atyre që kanë keqkuptuar prej vitesh, por kjo është çështje e pushtetit vendor, sensin e pronës së përbashkët dhe të asaj private dhe këtu kam parasysh zhvilluesit e pallateve, që pasi kanë ndërtuar pallatet dhe bashkë me ta edhe ata që kanë lokalet, kanë vazhduar ta trajtojnë pronën përreth si pronë private dhje s’mund të jetë pronë private. Ju bëj thirrje atyre që zotërojnë të tilla asete, që nga trarët që vendosin për tu marrë lekë për parkim banorëve në mënyrën me abuzive duke pretenduar se është prona e tyre private të fillojnë t’i heqin sa më parë.
Në një komunikim live në Facebook, shefi i qeverisë, përsëriti mesazhin që i dha në nisje të ditës përfaqësuesve të popullit nga struktura vendore deri tek ato më të lartat.
Rama: Mos flini gjumë, kemi përgjegjësi se jane 83 mandate, mesazh edhe për inspektorët e IKMT që të bëjnë punë se ndryshe do të mbajnë edhe vetë përgjegjësi.
Në mbledhjen e mëngjesit, Rama kërkoi që puna të fokusohet në krijimin e disa grupeve në terren, ku Ogerta Manastirliu së bashku me kryetaren e komanduar Anuela Ristani do të organizojnë grupet e punës për hapësirat publike me deputetët dhe drejtuesit e njësive administrative.
Çështjet e trafikut në kryeqytet do të administrohen nga Blendi Gonxhja dhe Enton Punavija shoqëruar nga grupi përkatës, ndërsa Financat do të shihen me prioritet nga Petrit Malaj dhe Delina Ibrahimaj.
Takimi në Tiranë erdhi fill pas situatës së tensionuar në Vlorë për shkak të problematikave në keq menaxhim./vizionplus.tv