Ish-presidenti Bujar Nishani fajëson qeverinë, pasi shprehet se ka dështuar totalisht në identifikimin e situatës së COVID-19 dhe ka kryer një veprim të rëndë duke mos i dal në mbrojtje jetës dhe shëndetit të popullit.

Në një postim në “Facebook”, Nishani shkruan se mjekët po paraqesin tashmë fakte dhe prova mjekësore se virusi ka qenë prezent në Shqipëri që në muajin janar.

“Shqipëria po qeveriset nga një sekt anarkistësh që përpiqen ta kthejnë pushtetin e tyre në një regjim imponues dhe në krye të kësaj qeverisje nga një gangster ordiner! Mjekët profesionistë dhe me dinjitet të vendit po paraqesin tashmë fakte dhe prova mjekësore se koronavirusi ka qenë prezent në Shqipëri që në muajin janar 2020. Kjo është krejt logjike duke patur parasysh faktorët e qarkullimit dhe përhapjes së këtij virusi si dhe simptomat e shfaqjes së tij. Shqipëria ka qenë destinacioni i përditshëm i një fluksi të madh hyrje-dalje me veriun e Italisë dhe fakti që muajt janar, shkurt janë piku i gripit sezonal i ngjashëm simptomatikisht me virusin Covid 19, bindin shumë qytetarë sot për arsyet e simpomave të forta gripale që kanë kaluar në atë periudhë. Ajo që kishte detyrën e monitorimit, analizimit dhe vlerësimit të kësaj situate ishte qeveria e këtij vendit. Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e një qeverie rrumpallë jo vetëm që dështoi totalisht në identifikimin e kësaj situate por me mosveprimin e saj në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të popullit ka kryer një krim të rëndë.”

Nishani shprehet se qeveria e ka futur vendin në një situatë psikologjike terrori, ndërsa jetesën familjare, biznesin dhe ekonominë e vendit në një regjim kolapsi. Sipas tij, qeveria veproi në këtë mënyrë për të mbuluar paaftësinë.

“Nga njëra anë mbulonte paaftësinë dhe krimin që ju kishte shkaktuar shqiptarëve e nga ana tjetër zaptoi gjithë hapsirën publike për politikë personale e moniste. Nga njëra anë shtypte e denigronte jetën personale të çdo qytetari e nga ana tjetër vidhte e grabiste papushim pasuritë e vendit dhe xhepat e shqiptarëve. Deklaratat makabre të kreut të qeverisë dhe protagonizmi i disa mjekëve militantë asgjesuan totalisht funksionimin normal të mekanizmave të shtetit dhe mendimin racional e shkencor të mjekëve specialistë të vërtetë. Aktet dhe urdhëresat antikushtetuese e anti ligjore dhunuan prej muajsh jo thjesht liritë dhe të drejtat e qytetarëve, jo vetëm që tentuan kthimin në kavje eksperimentale të shqiptarëve por ishin mbulesa e përkryer e hajdutërisë masive të asaj pak pasurie të këtij vendi të vogël e njerëzve të varfër.”

Nga ana tjetër, Nishani nënvizoi se qeveria shpërndante qindra milionë për oligarkët e korruptuar, ndërsa linte mijëra familje pa të ardhura.

“Soji i grabitësve dhe të dhjamosurve me paratë publike prej tenderava të korrupsionit, hargaliseshin në pube e restorante me dyer të mbyllura, ndërkohë shqiptarët e thjeshtë i linte të gdhiheshin e ngryseshin pas traut të kufirit me ditë të tëra si të ishin lecka pa vlerë. Tek urdhëronte fshehjen e numrit të njerëzve që ndërronin jetë përditë në vend, nxirrte në parade antikushtetuese e maskaradë shëtitëse forcat ushtarake të një vendi anëtar i NATO-s. Zhgërryer mbi karrigen e përdhunuar të zyrës kryeministrore urdhëronte disa shqiptarë të grabisnin disa shqiptarë të tjerë. Armatoste me shkopin e dhunës qiramarrësit të zhvasnin qiradhënësit e pronave të tyre.”



Teksa e cilëson kryeministrin Rama një “gangster”, Nishani shtoi se ai urdhëroi zgjatjen e gjendjes se masave të jashtëzakonshme deri në fundin e qershorit, por nga ana tjetër organizon “zgjedhje farsë në universitetet e vendit.”

Ndër të tjera, ai theksoi se reagimi i fuqishëm popullor është e vetmja shpresë që vendi të shpëtojë e të çlirohet nga “uzurpuesit”.

“Universitete pa studentë e pa pedagogë, po bëjnë zgjedhje ! Ka një dhe vetëm një arsye zgjatja e paligjëshme e situatës së represionit mbi qytetarët deri më 23 qershor. Vjedhja me tenderat “sekret” !
Evropa dha miliona euro si ndihmë për ekonominë e vendit, por askush nuk e di se ku u zhdukën ato ?!!Gangsterri paralajmëron shkurtimin e pensioneve dhe pagave të shqiptarëve, por shton hapësirën e territorit, tokës e detit që ju fal oligarkëve që vjedhin votat e shqiptarëve për pushtetin e gangsterrit. Çdo ditë dalin prova të turpëshme se si ka degraduar qeverisja, se si vidhet ekonomia, se në ç’far niveli fyes ka përfunduar Parlamenti, se si është shpërfytyruar e korruptuar media, se si është asgjesuar drejtësia, se si Shteti Shqiptar është rrëzuar e denigruar. Kjo është veçse vepër e një gangsterri ordiner dhe jo e një qeveritari të rradhës. Kësaj situate të paprecedentë në Shqipëri i ka mbetur veç një shpresë e një mundësi. Reagimi i fuqishëm popullor! Për fat të keq qytetarët nuk e kanë kuptuar ende se çfar fuqie të madhe kanë e posedojnë. Populli ka një forcë të jashtëzakonëshme që merr përpara me fuqinë e cunamit çdo rregjim dhunues e pushtet absolut që vjedh, grabit, shtyp, mashtron e poshtëron 24/24 popullin e vet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *