Subscribe

Ministria e Arsimit i ka kërkuar presidentit Ilir Meta shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

 

Në një deklaratë për mediat, ministrja Besa Shahini njoftoi pezullimin nga detyra të rektorit ndërsa tha se I është drejtuar me një kërkesë kreut të shtetit për shkarkimin e tij.

 

“Na duhet një frymë bashkëpunimi mes studentëve e pedagogëve, pedagogëve e udhëheqësve të universitetit, udhëheqësve mes tyre apo edhe me ne si ministri – gjë që është bërë e pamundur në Universitetin e Tiranës dhe sot jemi në këtë pikë ku unë detyrohem të marr një vendim të vështirë si ky i pezullimit të rektorit. Më vjen me të vërtetë keq për Profesor Konin, i cili ka qenë gjithmonë shumë korrekt dhe kordial me mua si person. Por, përkundër kordialitetit, jam udhëheqëse e një institucioni që ka për detyrë të sigurohet se ligji po zbatohet dhe reforma po realizohet në të mirë të të gjithëve. Sidoqoftë, është gjithmonë vështirë të merret vendim për pezullimin e një personi të zgjedhur me vota nga institucioni që përfaqëson dhe më vjen keq që kemi arritur deri këtu.Vendimin për shkarkimin e rektorit e merr Presidenti dhe ai do të ketë në dispozicion të gjithë materialin e përgatitur nga grupet e inspektimit.”

 

Ministrja Shahini tha se është dakord me presidentin Meta për problemet në zbatimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, ndërsa u shpreh e bindur se ky I fundit do të marrë vendimin e duhur për zgjedhjen e ngërçit në Universitetin e Tiranës.

 

“E kam dëgjuar me kujdes fjalën e Presidentit Meta dje në një universitet privat ku tha se: “Protesta e Dhjetorit ka treguar se zbatimi aktual i Ligjit për Arsimin e Lartë ka probleme.” Jam plotësisht dakord me Presidentin, sidomos për sa i përket Universitetit të Tiranës, ku ligji nuk është zbatuar, e rrjedhimisht universiteti është keq-menaxhuar dhe kjo ka rezultuar me probleme serioze për të gjithë gjeneratën e studentëve që sot janë duke ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës. Duke marrë parasysh shqetësimin e shprehur nga Presidenti për mos-zbatimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, jam e bindur që do të marrë vendimin e duhur për zgjidhjen e ngërçit në Universitetin e Tiranës.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *