Subscribe

Thellimi i krizës energjetike në Kosovë e ka shtuar presionin e opozitës ndaj mazhorancës. Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, fajëson kryeministrin Albin Kurti për neglizhencë duke paralajmëruar përkeqësimin e gjendjes në muajt në vijim.

 

MEMLI KRASNIQI

KRYETAR, PDK

“Faji është i qeverisë për mungesën e zgjidhjes së krizës dhe për neglizhencë që ata e kanë trajtuar këtë çështje. Unë nuk dëshiroj të jem alarmues, por ne ende se kemi arritur pjesën më të keqe të kësaj krize. Pasi me uljen e temperaturave është normale që të rritet konsumi dhe prodhimi vendor është duke shkuar më poshtë për shkak të daljes edhe të blloqeve të tjera. Ndërsa, çmimet në treg janë enorme, kapacitetet financiare për të mbuluar importin duket se nuk ekzistojnë dhe rrjedhimisht kjo do të krijojë një krizë më të rëndë se kjo që e kemi përjetuar në muajin dhjetor”.

 

Lideri i partisë demokratike të Kosovës vlerëson se bilanci i arritjeve të qeverisë gjatë vitit që lamë pas, është më tepër se zhgënjyes.

 

“Vetëm këtë vit kemi pasur dy valë të mëdha që kanë marrë shumë jetë njerëzish dhe që kanë qenë të karakterizuara me keqmenaxhim nga ana e institucioneve. Kemi pasur telashe në politikën e jashtme, sot Kosova se ka një njohje të re dhe as nuk ka aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kemi pasur degradim të raporteve tona në rajon dhe veçanërisht me Shqipërinë që është e pakuptimtë dhe e papranueshme. Por edhe një degradim të raporteve tona me disa prej partnerëve kryesorë të Kosovës siç janë ShBA dhe disa nga shtetet kyçe të BE-së.”

 

Sa i takon iniciativës për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i Hapur”, aktorët politikë në Kosovë shprehen të unifikuar në qëndrimin e tyre kundër.

 

“Ne s’mundemi të bëhemi pjesë e një tryeze ku s’kemi qenë të barabartë nga fillimi. Mungesa e një qartësie për një barabarësi të palëve padyshim se e pengon realizimin e këtij procesi. Nëse Ballkani i Hapur është menduar për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor atëherë gjashtë shtetet është dashur të jenë pjesë e iniciativës që nga fillimi deri në fund, duke përfshirë edhe hartimin e rregullave. Nuk është e njëjtë të ulesh në tryeze nga fillimi dhe të ftohesh në gjysmën e rrugës. Ka nevojë për një ri-mendim të këtij projekti, i cili para se gjithash në perspektivën e Kosovës të jemi të barabartë”.

 

Sa i takon dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, opozita kosovare kritikon qeverinë për shou politik dhe asnjë rezultat konkret që do të shënonte progres drejt marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve, për njohje reciproke.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *