Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi këtë të mërkurë dokumentin final për aneksimin e katër rajoneve ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Khersonit.

 

Nënshkrimi i Putin erdhi 1 ditë pasi Duma ruse dhe Këshilli i Federatës, miratuan unanimisht ligjin që përshtaste aneksimin sipas kushtetutës ruse.

 

Sipas Moskës, tashmë këto territore janë pjesë integrale e Federatës Ruse dhe qytetarët e këtyre rajoneve kanë 30 ditë kohë të pajisen me pasaportë dhe të bëjnë betimin sipas kushtetutës së vendit.

 

Lëvizja e përshpejtuar nga Kremlini erdhi kur lufta ka hyrë në një faze të re dhe të rrezikshme, pasi që nga 20 shtatori ushtria ukrainase ka ndërmarrë disa ofensiva në lindje të vendit duke çliruar disa qytete.

 

Luftimet po zhvillohen brenda rajoneve të pretenduar tashmë nga Moska si pjesë e Rusisë, edhe pse asnjëherë nuk e ka pasur kontrollin e plotë të tyre, dhe referendumet e zhvilluara në këto rajone nuk janë njohur nga asnjë vend.

 

Ky është momenti më delikat pasi aneksimit iu dha edhe firma finale, dhe tashmë Moska mund të fusë në përdorim protokollin për armët bërthamore, e cila i parashikon që armë të tilla përdoren kur vendoset në rrezik territori i Rusisë.

 

Nuk dihet interpretimi që Kremlini do t’i bëjë këtij protokolli, por në Perëndim është shtuar ankthi për një hap të tillë nga Putin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *