Kandidatja për deputete e PD, Albana Vokshi kërkoi reagimin e menjëhershëm të SPAK për bazën e të dhënave të shqiptarëve, që dyshohet se i është vënë në dispozicion Partisë Socialiste nga institucionet shtetërore. Gjatë një interviste për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Vokshi dha alarmin se po cenohet privatësia e gjithësecilit, me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

 

“Është një fushatë e pabarabartë. Opozita po bën një fushatë rrugë më rrugë, derë më derë, duke shpjeguar programin dhe arsyet pse nevojitet ndryshimi. Nga ana tjetër, kemi një shtet me në krye Edi Ramën, në paligjshmëri totale, që funksionon si bandë që del natën, në shkelje ligjore, duke shpërndarë legalizime, ndihma, duke ofruar shërbime që duhet t’i ofronte për të gjithë qytetarët. Rasti i fundit i publikimit të të dhënave është një shkelje flagrante e privatësisë, është vepër penale e urdhëruar nga Edi Rama. Drejtuesja e AKSH-it, çdo drejtues ministrie, duhet urgjentisht të shkojë në SPAK, të dalë para drejtësisë. Jemi në një regjim që kërkon të kontrollojë jetën e gjithsecilit prej nesh. Tek ai databazë janë çdo e dhënë personale. Kjo është e papranueshme. Ata po mundohen të kontrollojnë votën, të shantazhojnë qytetarët. Por votën nuk e kontrollojnë dot dhe askush nuk duhet të ketë frikë, por të shkojë në datën 25 prill dhe të votojë.”

 

E bindur në fitoren e PD, Albana Vokshi u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime. Ajo mohoi të ketë përplasje mes kandidatëve në listat e PD, identifikimi i të cilëve në fletën e votimit do të jetë me numra.

 

“Ne jemi pjesë e ekipit të PD. PD është forca politike me numrin 9. Mesazhi im për çdo qytetar shqiptar është “Votoni, votoni, votoni”. Dilni dhe votoni masivisht sepse kështu PS do të humbasë dhe PD do të ketë një fitore plebishitare. Nuk ka asnjë përplasje mes kandidatëve. Gjithkush po punon për të maksimalizuar votën për Aleancën për Ndryshim.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *