Subscribe

Pas propozimeve nga drejtuesit politik të qarqeve, kryesocialisti Edi Rama pritet të zyrtarizojë emrat me të cilët do të garojë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Kryesia e Partisë Socialiste mblidhet pasdite për të përcaktuar kandidatët për kryebashkiakë në Vorë, Durrës, Rrogozhinë, Shkodër, Dibër dhe Lushnje.

 

Nga takimet e njëpasnjëshme të zhvilluara mes Edi Ramës, drejtuesve politik të pesë qarqeve dhe deputetëve të dalë nga zonat ku do të ketë zgjedhje, janë lakuar disa emra, zyrtarizimi i të cilëve pritet të bëhet në mbledhjen e kryesisë.

 

Për dy nga bashkitë më të rëndësishme, të Durrësit dhe Lushnjës duket se socialistët do të garojnë me kryebashkiakët e komanduar, Emirjana Sako dhe Eriselda Sefa.

 

Foto: Emirjona Sako                                                                                                                                      Foto: Eriselda Sefa

 

 

Me shumë interes pritet gara në Shkodër, ku propozimi i PS-së është sërish një grua, Majlinda Angoni që aktualisht mban detyrën e prefektes në këtë qark.

 

Një tjetër prefekt por tanimë ish, ai i qarkut të Tiranës, Mersin Murataj mund të jetë emri me të cilin mazhoranca qeverisëse do të kërkojë fitoren në Vorë.

 

Për Dibrën nga kampi rozë duket se socialistët nuk po kërkojnë mes tyre, por një kandidat jashtë politikës. Rrogozhina mund t’i mbetet Edison Mollës, detyrë që e ushtron si i komanduar prej dy vitesh.

 

Betejën e 6 marsit, kryesocialisti nuk e ka quajtur për jetë e vdekje, por si një garë ku socialistët do të kërkojnë rikonfirmimin e tyre në krye të pushtetit vendor.

 

Zgjedhjet e pjesshme vendore që do t’u japin 6 kryebashkiakëve të rinj një mandat të shkurtër, një vjeçar. Për socialistët janë një provë për të rikonfirmuar fitoren një vit pas parlamentareve të prillit dhe akuzës së Partisë Demokratike për masakër elektorale. Ndërsa për demokratët, që tanimë të ndarë mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, do të bëjnë testin e parë se kë mbështet elektorati blu me votë, kandidatët e Partisë Demokratike apo të Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *