Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur të respektojë kërkesën e opozitës për debat parlamentar, i cili do t’i paraprijë ngritjes së Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore.
Në mbledhjen e grupit, kryeministri Edi Rama, ka kërkuar nga deputetët e shumicës që të përgatiten për debat konstruktiv me opozitën dhe të kihet kujdes të shmangen përplasjet. Rama ka kërkuar që diskutimet të përqendrohen tek raporti i ODIHR për zgjedhjet e 25 qershorit dhe rekomandimet e tij.
Po ashtu, kreu i qeverisë tha se në debatin parlamentar, socialistët duhet të respektojnë frymën e marrëveshjes së 18 majit për konsensus dhe bashkëpunim politik me opozitën.
Mbledhja e grupit parlamentar u parapri nga takimi që kryeministri pati me kreun e kuvendit Gramoz Ruçi, ministrat dhe kryesinë e grupit të PS.





