Vendimi për ndalimin e monopatinave, sipas qytetarëve dhe biznesve, është kthyer në pengesë.
Përfaqësues të këtyre subjekteve shprehen se nuk janë kundër rishikimit të ligjeve dhe rregullave të qarkullimit, por theksojnë se ndalimi i menjëhershëm ishte i nxituar.
“Jam shumë pro rregullave të reja, ligeve të reja, diçka që po masivizohet duhet të rregullohet me një ligj më specifik, po nuk mund ta bësh kaq drastikisht. Shumica nga këta persona që shikon këtu sot, gjysma jemi tregtar të këtyre mjeteve, që e kemi mbyllur tani biznesin tonë dhe po presim me kismet nuk dihet çfarë do bëhet”.
Nga ana tjetër, edhe përdorues të këtyre mjeteve shprehen se ndalimi ka sjellë pengesa në përditshmëri, pasi monopatina për ta ishte mjet pune dhe transporti të përditshëm.
“Problem më i madh është te fëmijët, se edhe për ne u bë e bezdisshme që shkonin 2-3 vetë. Fëmijë pafund me skuter, ata s’ia kanë idenë qarkullimit rrugor. Ne e përdornim për punë, kam shkuar dy orë me vonesë”.
“Më ka ndryshuar komplet përditshmërinë time, vajtjen në punë, kthimin nga puna, qoftë edhe bërjen e pazarit. Nëse dikush kapet pa kaskë të drejtë ka policia ta konfiskojë ai është rrezik për veten e rrezik për atë tjetrin. Te vendosen fillimissht ca rregulla dhe pastaj të merren hapa të tillla për t’i bllokuar”.
Qytetarë dhe biznese u mblodhën këtë të mërkurë para Komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet, në shenjë proteste.
Ata janë paraqitur edhe me dokumentet e nevojshme për tërheqje të monopatinave të sekuestruara, por iu është komunikuar se mjetet do të mbahen të bllokuara në një afat 30 ditor.
“Pas takimit me shefin e komisariatit rrugor dëgjuam që do të mbahen mjetet për 30 ditë të bllokuara, për shkak se gjatë kësaj periudhe do të rregullohet me ligj se si do të qarkullojnë mjetet elektrike në qarkullimin rrugor”.
Vendimi për ndalim të përkohshëm të monopatinave u mor në 12 tetor, ndërsa një ditë më pas u bë ndalimi i mjeteve që qarkullonin në rrugë. Masat u morën për shkak të shtimit të rasteve të aksidenteve që kanë përfshirë këto mjete elektrike./vizionplus.tv





