Prej ditësh, më shumë se 100 të dënuar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin janë futur në grevë urie, pasi kërkojnë zgjidhje të problemeve, si amnisti, rishikim të dënimeve, plotësimin e kushteve higjienike dhe lejimin e takimeve me familjarët e tyre.

Një ish i dënuar në burgun e Peqinit ka rrëfyer për emisionin “Vizion i Pasdites” kushtet e vështira me të cilat përballen të burgosurit në institucionet e dënimit në vend.

Ai ka treguar që të burgosurit jetojnë në kushte skandaloze, jashtë çdo imagjinate. Nëse i burgosuri nuk arrin ta sigurojë ushqimin nga shtëpia e tij, sipas ish-të dënuarit, ai mund të qëndrojë edhe pa ngrënë, pasi askush nuk interesohet për kontrollin e produkteve ushqimore.

“Nëse nuk ka mundësi të ushqehet nga shtëpia, nuk ka me çfarë të ushqehet. Është ushqimi shumë skandal. Nuk ka kontroll. Edhe para karantinës, kushtet kanë qenë skandaloze, ushqimi nuk konsumohet. Tani që janë ndërprerë edhe takimet, është shumë problem.  Ushqimi është shumë skandal. Nuk ka kontroll. Kushtet më skandaloze, çdo dite edhe më keq. Nuk e imagjinon sa keq janë kushtet këtu.”

Ai u shpreh se shoku i tij është një ndër të burgosurit që është ankuar dhe e kanë transferuar në një tjetër burg.

“Kam një shok që ka ngritur në bugun e Peqinit dhe e kanë trasferuar në një burg tjetër. Do të bëjë 20 ditë izolim dhe do t’i hapin proces gjyqësor.”

Ndër të tjera, ai deklaroi se disa të burgosur janë aty pa prova dhe se vuajnë dënimin vetëm për shkak të mungesës së mikut apo anës financiare.

“Si nuk i dëgjon njeri kur flasin edhe avokatët në sallën e gjyqit, 80 për qind e të burgosurve dhe parabugosurve janë pa prova. Thjesht nuk kanë pasur fuqi ekonomike dhe mik. Bëjnë burg kot. Kanë pasur persona që i kanë skaduar afatet e paraburgimit dhe duhet të dalësh në atë orë që të kanë prerë letrat. Ku mund të ankohesh? Shumica janë të pafajshëm. Avokatët kur flasin në sallë të gjyqit, gjyqtarët rrinë dhe flasin në telefon.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *