Greqia do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 21 maj, siç ka bërë me dije kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

 

Ky njoftim vjen pas protestave masive kundër qeverisë, të shkaktuara nga aksidenti tragjik hekurudhor, ku humbën jetën 57 persona gjatë natës së 28 shkurtit.

 

Partia “Demokracia e Re” e Mitsotakis do të përballet me rivalen e saj kryesore, partinë e majtë Syriza, e cila udhëhoqi qeverinë nga viti 2015 deri në vitin 2019, nën drejtimin e ish-kryeministrit Aleksis Tsipras. Nëse do të nevojitet një raund i dytë votimi, ky do të zhvillohet gjatë muajit korrik njoftoi gjithashtu kryeministri.

 

Sipas sondazheve, “Demokracia e Re” ka pak më shumë përkrahës se Syriza, por ngjarja e muajit të kaluar ka bërë që diferenca mes tyre të bëhet edhe më e vogël. Kështu që ka shumë gjasa që raundi i parë i zgjedhjeve, të mos dalë me një fitues të qartë.

 

Zemërimi i popullit pas përplasjes tragjike të trenave i bashkohet çështjeve të tjera me të cilat po përballet qeveria greke, duke përfshirë inflacionin e lartë, çmimet e ushqimeve dhe një skandal përgjimi. Ndërsa pranoi se janë bërë shumë gabime, Mitsotakis tha se slogani i partisë së tij do të jetë “Ne do të vazhdojmë ta ndryshojmë Greqinë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *