Subscribe

Një ditë pasi 65-vjeçari, Hasan Mira nga Klosi, u vetëhodh nga kati i katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku po trajtohej nga Covid, prokuroria e Tiranës nisi hetimet. Familjarët e viktimës, mjekët dezhurn dhe infermieret u morën në pyetje, ndërsa u sekuestrua edhe kartela mjekësore.

Dy akuzat e ngritura paraprakisht janë: shkaktimi i vetëvrasjes dhe mjekimi i pakujdesshëm.

 

Vetë spitali reagoi për ngjarjen, duke i shprehur ngushëllime familjes për humbjen e të afërmit, por pa dhënë asnjë detaj mbi rrethanat e vetëvrasjes.

 

65-vjeçari ishte shtruar një ditë më patë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar, si pasojë e virusit SARS COV-2 dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit.

 

Të afërm të 65-vjeçarit, Hasan Mira, thanë për Vizion Plus, se i moshuari nuk vuante nga depresioni. Ai njihej nga të gjithë në fshatin Fullqet të Klosit, si një njeri i dashur dhe i respektuar.

 

Prokurorët ndërkohë po bëjnë hetime edhe për vetëvrasjen e 13 gushtit, po në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku 29-vjeçari Xhino Koça, nga Durrësi u vetëflijua duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit.

 

Sipas informacioneve, dosjet janë bashkuar dhe hetimet po drejtohen nga dy prokurorë.

 

Vetëvrasjet e ndodhura në spitalin Covid 2 kanë tronditur personelin mjekësor, pacientet dhe të afërmit e tyre. Këta të fundit përpiqen t’u gjenden sa më pranë familjarëve të sëmurë.

 

Mjekët e sanatoriumit ndërkohë thonë se do të vazhdojnë te jenë në shërbim të plotë të pacientëve me koronavirus.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *