Subscribe

Akti i fundit i zgjedhjes së presidentit do të zhvillohet të shtunën.

 

Vetëm me miratimin e tyre në konferencën e kryetarëve, socialistët vendosën që kandidati i propozuar të votohet në pasditen e 4 qershorit.

 

ERMONELA FELAJ
DEPUTETE E PS

Kush është dakort me këtë propopozim? Atëherë data e zhvillimit të raundit të katër do të jetë në 4 qershor ditë e shtunë ora 18:00.

 

Para zyrtarizimit të emrit, procedura brenda familjes socialiste kërkon së pari mbledhjen e kryesisë. Me t’u kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasditen e së premtes kryeministri Edi Rama do ta thërrasë atë. Në agjendën e kryesisë zgjedhja e pasuesit të Ilir Metës, nuk është pika e parë për diskutim por e fundit. Treshja Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali do t’i bëjnë me dije Edi Ramës gjithë ecurinë e procesit. Por vetëm kaq. Emri i cili që nga nisja e procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit është në kokën e Edi Ramës do të zbulohet një ditë më pas. Paraditen e së shtunës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pritet të jetë vetë udhëheqësi i tyre që do të shpallë kandidatin ose kandidaten për president. Ai ose ajo do të jetë një nga 10 më të pëlqyerit nga emrat e propozuar me zarf nga vetë socialistët dhe me poste elektronike nga shoqëria civile e populli. Mes tyre janë politikanë jo aktiv dhe përfaqësues të fushave të ndryshme, nga shoqëria civile, drejtësia apo akademikë.

Me kalimin e filtrave të pastërtisë së figurës në komisionin e ligjeve, në orën 6 deputetët do të mblidhen në kuvend për të shprehur vullnetin e tyre me votë të fshehtë. E vetmja surprizë është sesa vota më shumë do të marrë presidenti i propozuar nga socialistët përveç atyre që zotërojnë. 74 të tyret dhe tre të mundshmet e social-demokratëve të partisë së drejtuar nga Tom Doshi. Pasi negociata që asnjëherë nuk u ngjit në lartësinë e saj mes mazhorancës dhe opozitës dështuan në zgjedhjen e një presidenti konsensual, katër nga përfaqësuesit e opozitës në diskutimet e fundit për çështjen e presidentit në konferencën e kryetarëve folën sipas asaj që ata mendojnë individualisht.

 

AGRON GJEKMARKAJ
DEPUTET I PD

Partia Socialiste megjithëse është kundërshtari ynë por është një aset kombëtar. Unë do të doja shumë, meqënëse po e merrni këtë përgjegjësi që për mua është abuzive, është më e nevojshme të jetë një personalitet politik i PS sesa një që vjen kinse nga shoqëria civile dhe merrni gjithë këtë përgjegjësi politike, dilni vetë përballë shqiptarëve dhe le t’iu gjykojnë si të tillë.

 

GRIDA DUMA
DEPUTETE E PD

 

Kjo është një tallje e vetëdijshme e juaja dhe e qëllimshme. Unë do ta mbyll, që përsëri po të doni ju në frymë konstruktive, ka edhe një javë kohë, lerjani opozitës plotësisht, pa 20 firma, dakordësoni te emri dhe shkojmë te logjika nëse ishit ju këta të kompromisit dhe konstruktit të madh.

Pas zbulimit të emrit të shtunën, në votimin për presidentin e ri pritet të shihet nëse do të ketë rrjedhje të votave nga opozita. Deri më tani mbetet e paqartë nëse deputetët që i mbajnë anën Enkelejd Alibeaj do të jenë në seancë. Në të fundit nuk ishin.Gjithësesi, kjo nuk e rrezikon zgjedhjen e kreut të ri të shtetit por thjesht do të konfirmojë atë që dihej që në nisje. Institucioni i presidentit për pesë vitet e ardhshme do t’i përkasë Partisë Socialiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *