Njoftimi se do të ketë një konferencë për shtyp pas takimit të sotëm vendimtar midis Donald Trump dhe Benjamin Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë nxit spekulimet se administrata amerikane po përgatitet të njoftojë finalizimin e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe lirimin e pengjeve të fundit izraelitë, raportuan sot mediat izraelite.
Presidenti amerikan mirëpret kryeministrin izraelit në Shtëpinë e Bardhë sot, menjëherë pasi premtoi një “marrëveshje” për Gazën dhe vuri veton ndaj një aneksimi të mundshëm të Bregut Perëndimor të pushtuar.
“Kemi një mundësi reale për të arritur diçka të madhe në Lindjen e Mesme. Të gjithë janë gati për diçka të veçantë, diçka që po ndodh për herë të parë. Ne do ta bëjmë”, shkroi presidenti amerikan dje, të dielën, në platformën e tij, Truth Social.
Ky është biseda e katërt midis dy udhëheqësve që nga inaugurimi i republikanit më 20 janar. Një konferencë e përbashkët për shtyp është planifikuar për në mbrëmje.
Axios: Shumë afër arritjes së një marrëveshjeje
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje mbi planin e Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, pas bisedimeve midis të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff, dhëndrit të Trump, Jared Kushner, dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, raportoi gazetari i Axios, Barak Ravid, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan.
Plani amerikan
Propozimi i fundit amerikan, të cilin udhëheqësi republikan ia ka paraqitur tashmë në telefon Benjamin Netanyahut dhe personalisht udhëheqësve myslimanë, premton të sjellë paqe në territorin palestinez, i cili është shkatërruar pas dy vitesh agresioni vdekjeprurës izraelit.
“Unë besoj se kemi një marrëveshje,” siguroi Donald Trump të premten.
“Do të jetë një marrëveshje që do të kthejë pengjet. Do të jetë një marrëveshje që do t’i japë fund luftës,” premtoi presidenti amerikan nga Shtëpia e Bardhë.
Pothuajse në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit po mbante një fjalim shumë agresiv në OKB, duke premtuar të “përfundonte punën” kundër Hamasit.
Sipas një burimi diplomatik, plani amerikan parashikon një armëpushim të përhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura në territorin palestinez, një tërheqje izraelite dhe qeverisje të ardhshme të Gazës pa Hamasin./vizionplus.tv




