Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka reaguar pas takimit të zhvilluar me presidentin e e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

 

Pompeo është shprehur se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik.

 

“Një takim dreke produktiv me presidentin Vuçiç, rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe pranimit të Serbisë në BE. Normalizimi i raporteve me Kosovën, do të forcojë stabilitetin e Serbisë, të Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”, ka shkruar pas takimit sekretari Pompeo në Twitter.

 

Nga ana tjetër presidenti Vuçiç është shprehur se gjatë takimit, sekretari Pompeo dëshironte të dëgjonte se çfarë mendon, para së gjithash, Serbia për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

 

Gjithashtu ai ka thënë se ka kërkuar që SHBA-ja të ndikojë edhe më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.

 

“Unë i kam kërkuar administratës amerikane që të përpiqet – edhe pse ka bërë deri më tani – të ndikojë më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr tarifat e vendosura ndaj nesh, një vit më parë, dhe në lidhje me këtë nuk ka dyshim se kemi mbështetjen e SHBA-së, sepse ata, si dhe ne, e konsiderojmë të rëndësishme të vazhdojmë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”.

 

Takimi ndërmjet presidentit Vuçiq dhe sekretarit Pompeo bëhet në kohën kur Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *