Subscribe

Ministria e Brendshme dorëzon në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal lidhur me dekonspirimin e operacionit për kapjen e tre ish-drejtuesve të lartë të policisë së Vlorës.

 

Mësohet se ministria kërkon hetim të plotë për të gjithë personat që kanë pasur dijeni për operacionin përfshirë këtu dhe prokurorët, por edhe efektivët e shërbimit të kontrollit të brendshëm, të cilët kishin për detyrë prangosjen e ish-kolegëve të tyre.

 

Një ditë më parë vetë kreu i shërbimit të brendshëm dhe ankesave në Ministrinë e Brendshme Eduart Merkaj,  zhvilloi një takim me prokurorët e çështjes lidhur me operacionin.

 

Mësohet se takimi i kërkuar nga Merkaj pati si qellim analizën per arrestimin e tre ish-oficereve, pasi vendimet e Gjykatës mbanin datën 21 nëntor, ndërsa iu dhanë policisë një ditë më pas. Për këtë Prokuroria nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar.

 

Të enjten rreth orës 10:30, policia mori nga Prokuroria e Krimeve te Rënda dy urdhra-ndalimi dhe një vendim të Gjykatës për Krimet e Rënda, për masë sigurie në mungesë “Arrest në burg”.

 

Urdhër-ndalimet ishin  nxjerrë për tre ish-oficerët e dalë në dispozicion Jeld Cela Sokol Bode dhe Gjergji Kohila. Të tre ata dyshohen për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Trafikim të tyre”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

 

Nga të dhënat e fundit, policia dyshon se ata janë larguar jashtë vendit, ndërsa priten procedurat për shpalljen e tyre në kërkim ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *