Subscribe

Në një kohë kur policia e shtetit është vënë në qendër të kritikave pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, i sapoemëruari në krye të Ministrisë së Brendshme, i përgjigjet me një anketim të financuar nga qeveria suedeze. Në daljen e parë publike, Bledi Çuçi shfrytëzoi rezultatet e pyetësorit për t’iu përgjigjur akuzave të opozitës se policia është e shtetit dhe jo një vegël e politikës.

 

“Kjo është shumë interesante, është një pyetje që iu jep përgjigje të gjithë atyre që nuk lënë vend pa shpifur, që Policia e Shtetit është bërë polici politike. Dhe është një përgjigje e drejtpërdrejtë, ku me kënaqësi e shohim që Shqipëria prapë është në një trajektore shumë pozitive, krahasuar me vendet e tjera. Shikoni ku kemi qenë në 2013, krahasuar me vendet europiane! Shiko ku është Shqipëria sot, në 2020, krahasuar me mesataren e vendeve europiane. Kemi lënë mbrapa madje edhe shtete si Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Spanja apo Franca për sa i përket perceptimit se sa e politizuar është Policia e Shtetit. Më vjen shumë mirë që publiku nuk është ndikuar në masë nga balta që i bëhet nga politika e mbrapshtë dhe nga gjithë sulmet e padrejta që pëson Policia e Shtetit”, u shpreh ministri Çuçi duke vënë theksin te perpjekja e përbashkët për të përmirësuar më tej këtë marrëdhënie midis publikut dhe Policisë së Shtetit, e cila është themeli i funksionimit të një shteti që garanton zhvillimin e një shoqërie europiane siç është Shqipëria.”

 

Nga krahasimi i dy policive të shtetit, asaj para dhe pas 2013 kur rilindja mori pushtetin, rezulton se puna e bërë nga uniformat blu nën drejtimin e Saimir Tahirit, Fatmira Xhafës dhe Sandër Lleshaj është thuajse dyfish më e mirë.

 

“66% e publikut mendon se Policia e Shteti po bën një punë të mirë krahasuar kjo me 36% në vitin 2013. Shikoni se çfarë ndryshimi drastik! Gati dyfish ka pësuar perceptimi që policia bën mirë punën e vet, krahasuar me 2013-ën”, tha ministri Çuçi.

 

Në gjetjet e anketimit ku nuk deklarohet se cili organizëm e ka kryer, numri i të intervistuarve, grupmosha, gjinia apo cili është marzhi i jo të vërtetës, vlerësohet me përqindje të lartë edhe sjellja e policisë ndaj qytetarëve.

 

Nga anketimi, sipas Bledi Çuçit, arritjet e Policisë së Shtetit gjatë qeverisjes së Rilindjes njohin vetëm rritje thuajse në të gjitha fushat, si ne parandalimin e krimit, forcën reaguese ndaj ngjarjeve kriminale, uljes së nivelit të korrupsionit dhe sigurisë së qytetarëve gjatë orëve të natës.

 

Në të vetmen pikë, ku Shqipëria nuk është e krahasueshme me vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, siç Ministri i Brendshëm tha, është mungesa e bashkëpunimit të qytetarëve me policinë e shtetit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *