Subscribe

Operacioni “Plazh i lirë” ka vënë në dispozicion të pushuesve 10 000 m2 plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme në Ksamil, Himarë , Vlorë e Divjakë.

 

Në kuadër të këtij operacioni janë proceduar penalisht 6 pronarë subjektesh, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë, nga të cilët 5 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për “Zënia e hapësirave publike”.

 

Blutë kanë proceduar penalisht edhe n/kryetarin e Bashkisë së Sarandës shtetasi TH. M, sepse në kundërshtim me ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” nuk ka ekzekutuar vendimin administrativ të kryetarit të Bashkisë Sarandë për lirimin e një sipërfaqeje plazhi publik prej 600 m2 në Ksamil i cili shfrytëzohej pa lejen e bashkisë nga shtetasi F. P., hapësirë që është liruar gjatë operacionit të policisë tre ditë më parë.

 

Gjatë operacionit në Ksamil, janë proceduar penalisht shtetasi K. I., 35 vjeç, tek zona bregdetare e quajtur “Pema”, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1185  shezlongë, 351 çadra dhe një tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.

 

Gjatë kontrollit në Jalë, është proceduar penalisht shtetasit G. S., 47 vjeç, banues në Fier dhe Z. D., 34 vjeç, banues në Himarë, pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet  “Plazh Privat” në Jal, nën administrimin e këtyre shtetasve, Policia konstatoi se në këto subjekte nuk lëshohej kupon tatimor, kishte mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia Himarë.

 

Ndërkohë në Vlorë është proceduar penalisht shtetasit L. M., 52 vjeçe, banuese në Vlorë dhe E. N., 38 vjeçe, banuese në Vlorë , pasi në subjektet e tyre  në  lagjen “Ujë i Ftohtë” kishte mungesë dokumentacioni dhe pa kasë fiskale.

 

Gjithashtu në Divjakë  uniformat blu kanë proceduar penalisht  shtetasen  E. A., 38 vjeçe, banuese në Divjakë, për fshehje të të ardhurave dhe mospagim të taksave dhe tatimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *