Mjeku Pëllumb Pipero ka treguar më shumë detaje dhe ka sqaruar çfarë ndodhi me pacientin 61-vjeçar nga Tirana që u raportua i vdekur këtë të hënë. Në një komunikim për mediat, Pipero tha se ai pësoi vdekje klinike, por mjekët e rikthyen në jetë. Infeksionisti theksoi se gjendja e tij shëndetësore vijon të jetë e rënduar.

 

“Kemi raste të rënda dhe kemi raste shumë të rënda sikundër janë pacientët e shtruar në repartin e terapisë intensive, midis të cilëve njëri nga rastet sot në mëngjes ka bërë vdekje klinike, vdekje që zgjati relativisht gjatë por pa e humbur shpresën e personelit shëndetësor, të mjekëve reanimator për ta rikthyer atë në jetë. Fatmirësisht u rikthye në jetë por vazhdon të jetë ende rëndë”, deklaroi Pipero.

 

Për të mbajtur nën kontroll situatën, Pëllumb Pipero apeloi që qytetarët të tregojnë durim dhe të zbatojnë masat.

 

“Tashmë ne kemi më shumë se 40 të shtruar në Spitalin e Sëmundjeve Infektive. Secili nga ato ka problematikën e tij në varësi të të moshës dhe të sëmundjeve kronike. Kemi raste që janë relativisht mirë dhe shpresojmë nga dita në ditë t’i nxjerrim. Në këtë situatë, në këtë lloj dinamike të zhvillimit të pandemisë në vendin tonë, të rasteve të shtuara edhe këtu tek ne, por edhe rasteve të konfirmuara çdo ditë, vazhdoj të këmëngul e t’iu them të gjithë qytetarëve, të jenë të duruar, të qëndrojnë sa më gjatë në shtëpi dhe nëse kanë nevojë mjafton të telefonojnë në numrin 127.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *