Punimet në aksin rrugor Qukës – Qafë Plloçë janë pezulluar ose kryhen me ritme tepër të ngadalta. Shkak janë bërë problemet e hasura në projektet e të tri loteve të kësaj rruge, çka bën që afati për përfundimin e punimeve që ka qenë viti 2019, të mos arrijë të realizohet.

 

Në lidhje me këtë situatë, prefekti i qarkut të Korçës Dhori Spirollari është shprehur se në lotin e parë të rrugës Qukës – Qafë Plloçë, në zonën e fshatit Trebinjë janë regjistruar rrëshqitje të mëdha të tokës, ç’ka ka vështirësuar vijimin e punimeve.

 

Po ashtu edhe në lotin e dytë, pranë fshatit Kalivaç ka pasur rrëshqitje toke të cilat kanë pezulluar punimet në këtë zonë. Firmat zbatuese të projektit janë duke pritur rishikimin e projektit nga ana e ARRSH dhe gjetjen e zgjidhjeve teknike për këto dy pika problematike, por edhe shtesën e parave që do të duhen për të realizuar zgjidhjet. Prefekti thotë se vetëm pas rishikimit të projekteve do të mund të vijojë normalisht puna në këtë aks të rëndësishëm të juglindjes.

 

Të tjera probleme dhe rreshqitje të tokës ka pasur edhe në lotin e tretë të rrugës, por në këtë segment punimet nuk janë ndërprerë por janë duke vijuar me ritme të ngadalta. Në këto kushte prefekti Spirollari thotë se nuk dihet se kur do të jetë afati për përfundimin e punimeve në aksin prej 43,4 km, gjë që varet nga rishikimi i projekteve prej ARRSH. Ai shpreson që kjo përgjigje të vijë sa më parë, pasi ky është një aks që do të afrojë edhe më tej Korçën me Tiranën, por edhe Shqipërinë me Greqinë, Maqedoninë e më tej.

 

Projekti i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, pjesë e Korridorit të VIII, Tiranë-Korçë, është një investim me vlerë 152 milion dollarë. Në këtë aks thuajse kanë përfunduar pjesa më e madhe e veprave të artit, ura, tombino mure mbajtës e dy tunele, ndërsa një pjesë e mirë e rrugës është bërë gati për asfaltim, duke e çuar volumin total të punimeve në rreth 70%.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *