Shpresat e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për një samit me homologun e tij rus, Vladimir Putin, duket se po shuhen, pasi një takim përgatitor midis ministrave të Jashtëm të të dy vendeve, i cili ishte planifikuar të zhvillohej këtë javë, është shtyrë, raportoi CNN.
Moska u përgjigj duke komentuar se “diçka për të cilën nuk është rënë dakord nuk mund të shtyhet”, raportoi agjencia e lajmeve RIA, duke cituar zëvendësministrin e jashtëm Sergei Ryabkov.
Ryabkov theksoi gjithashtu se takimi midis dy ministrave kërkon përgatitje.
Trump ka thënë vazhdimisht se dëshiron paqe në Ukrainë. Pas një telefonate me Putinin javën e kaluar, presidenti amerikan tha se Ministrat e Jashtëm të SHBA-së dhe Rusisë, Marco Rubio dhe Sergei Lavrov, do të takoheshin.
Por CNN raportoi të hënën, se takimi ishte shtyrë për momentin, pasi Rubio dhe Lavrov kanë pikëpamje të ndryshme se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
Rrjeti televiziv amerikan shtoi se nuk ishte e qartë se çfarë ndikimi do të kishte shtyrja e samitit midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, i cili është planifikuar të mbahet në Budapest./vizionplus.tv





