Deputeti i partisë Socialistë Alfred Peza ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për sekuestrimin e pasurisë së tij. Në një deklaratë për mediat, ai ka theksuar se nuk po hetohet si deputet, por si gazetar.

 

“Prokuroria e Përgjithshme nuk po heton deputetin Peza, por gazetarin Peza, pasi po hetohet pasuria ime vetëm kur kam punuar si gazetar. Organi i Prokurorisë ka provuar se ka zero shtim të pasurisë time, përveç rrogës së deputetit që nga momenti i shpalljes publike të kandidaturës time dhe deri më sot. Kjo duhet kuptuar mirë, sepse kemi të bëjmë me një fakt të pakundërshtueshëm. Unë po hetohem si gazetar dhe jo si deputet. Kjo do të thotë se Prokuroria nuk ka asnjë problem me deputetin dhe politikanin Peza, por po heton gazetarin Peza. Kjo është e paprecedentë. Tani Prokuroria është duke hetuar sesi ka vënë një gazetar pasurinë në Shqipëri.”

 

Peza deklaroi se këto që po hetohen sot, mund të ishin verifikuar që në vitin 2012, ndërsa shtoi se ai nuk ka punuar në asnjë post publik e rrjedhimisht nuk ka fituar para nga fondet publike. Të gjitha të ardhurat e tjera sipas Pezës, janë të regjistruara dhe provohen lehtësisht. Ndërkohë, deputeti socialist theksoi se Prokuroria nuk ka prova për akuzat e saj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *