Pesë shtetas u arrestuan pasi u kapën duke transportuar 25 emigrantë të paligjshëm ne dy raste te ndryshme gjate operacionit te koduar “Perimetri”.
Njëri prej të arrestuarve ishte shpallur në kërkim dy herë më parë nga Policia, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.
Shtetasit S. L., 20 vjeç; S. Y., 20 vjeç; E. D., 22 vjeç dhe F. F., 21 vjeç, banues në fshatin Burizanë, Krujë, të cilët janë kapur në dalje të qytetit të Maliqit, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetet tip “Range Rover” dhe “Benz”, 21 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 500 euro për person, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Shtetasi S. L. ka rezultuar person i shpallur në kërkim më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve kryer në bashkëpunim” në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 05.08.2020, në unazën e qytetit të Pogradecit, ku në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë (të arrestuar) po transportonin 3 emigrantë të paligjshëm, si edhe për ngjarjen e ndodhur më datë 11.09.2020, ku 20-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në fshatin Cangonj, Devoll, pasi kanë konstatuar se ishin vënë në ndjekje nga Policia, kanë braktisur mjetin tip “Volkswagen” brenda të cilit u gjetën 14 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Po ashtu është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi A. V., 20 vjeç, banues në fshatin Kamenicë, Korçë, pasi u kap në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.