Në Shtetet e Bashkuara, Senati po ndërmerr hapa drejt shfuqizimit të ligjeve të miratuar para disa dekadash, që u jepnin presidentëve amerikanë kompetenca të gjera për luftën në Irak. Përpjekja dypartiake pason thirrjet e senatorëve amerikanë për t’ia rikthyer autoritetin Kongresit mbi çështjet e luftës dhe për të frenuar keqpërdorimin e forcës ushtarake.

 

Kompetencat që i jepen presidentit për luftë janë një nga ligjet më të rëndësishme të miratuara nga Kongresi amerikan.

 

Kongresi miratoi Autorizimin për Përdorimin e Forcave Ushtarake për Luftën e Gjirit të vitit 1991 dhe ndërhyrjen ushtarake të vitit 2003 në Irak. Dekada më vonë, disa nga këto kompetenca mund të marrin fund.

 

“Amerikanët janë të lodhur nga luftërat e pafundme në Lindjen e Mesme. Shumë amerikanë janë rritur pa i përjetuar vitet e para të Luftës në Irak. Lënia në fuqi e këtyre autorizimeve për luftë krijon mundësinë e abuzimit të tyre nga një administratë e ardhshme”, thotë udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.

 

Autorizimet për përdorimin e forcave ushtarake u kanë dhënë presidentëve amerikanë kompetenca për të kryer operacione ushtarake pa miratimin e Kongresit. Ligjvënësit janë përpjekur prej vitesh t’i shfuqizojnë këto autorizime, duke argumentuar se ato janë të vjetruara.

 

“Asnjë armë e shkatërrimit në masë nuk u gjet në Irak. Shfuqizimi i këtij Autorizimi të Përdorimit të Forcave Ushtarake nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të bëhen një vendi pacifist, por një vend kushtetues”, thotë senatori demokrat Dick Durbin.

 

Por disa senatorë republikanë argumentojnë se shfuqizimi i autorizimeve të përdorimit të forcave ushtarake kufizon mundësitë e presidentëve për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve të vazhdueshme.

 

“Kemi amerikanë që po shërbejnë në Irak dhe ne duhet të sigurohemi që të mund të përdorim forcën e nevojshme ushtarake për t’i mbrojtur ata nga grupet shiite, të kontrolluara nga Irani, që veprojnë në Irak”, thotë senatori republikan Lindsey Graham.

 

Bazuar në rolin si komandant i forcave të armatosura, që buron nga Kushtetuta, presidentët kanë ndërmarrë për një kohë të gjatë veprime ushtarake pa miratimin e Kongresit dhe shpesh me reagime të vogla nga Kongresi.

 

Propozimi për shfuqizimin e Autorizimit për Përdorimin e Forcave Ushtarake përfshin masa mbrojtëse shtesë kundër keqpërdorimit të pushtetit dhe për t’u siguruar që presidenti të mund të veprojë shpejt, nëse forcat amerikane kërcënohen jashtë vendit.

 

“Unë e di mirë kërcënimin që Irani paraqet për ne dhe për aleatët tanë në rajon. Nuk mund të jemi naivë për qëllimet e tyre. Dhe ne duhet të kemi vullnet politik për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve, kur e gjykojmë të nevojshme. Por shfuqizimi i autorizimit nuk do të ketë ndikim në aftësinë tonë për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit”, thotë Bob Menendez, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

 

Përpjekjet e mëparshme për miratimin e këtij propozimi kanë dështuar.

 

Shfuqizimi pritet të kalojë pragun e nevojshëm prej 60 votash në Senat.

 

Senati ka votuar me shumicë dërrmuese për ta zgjatur Autorizimin e Përdorimit të Forcave Ushtarake në Afganistan të vitit 2001, si pjesë e luftës globale kundër terrorizmit.

 

Ndonëse këto masa kanë mbështetje dypartiake, ato kanë edhe kritikë.

 

“Të dyja palët kanë argumentuar në thelb se autorizimi i lidhur me sulmet e 11 shtatorit 2001 nuk ka fare kufij kohorë, apo gjeografikë. Shfuqizimi i autorizimit të luftës në Irak nuk do t’i japë fund asnjë lufte dhe nuk do të shpëtojë jetë”, thotë ligjvënësi republikan Rand Paul.

 

Propozimi për shfuqizimin e autorizimit më pas do të duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluara nga republikanët, e cila mund të zhvilloj një debat për këtë çështje në kuadër të diskutimeve mbi buxhetin vjetor të mbrojtjes më vonë këtë vit./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *