Nisur nga situata jonormale brenda Partisë Demokratike, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Endri Hasa, iu bën thirrje demokratëve që të zgjedhin mes të shkuarës dhe të ardhmes.

 

Në një postim në “Facebook”, Hasa shkruan se ish-kryeministri Sali Berisha është pjesë e historisë së familjes demokrate, por shton se asesi  nuk mund të jetë rruga përmes të cilës duhet parë e ardhmja.

 

Sipas tij, ndryshimi do të bëhet me çdo kosto dhe praktikat e dështuara të 30 viteve tranzicion duhet të marrin fund.

 

Demokratët s’po zgjedhim mes dy botëve por mes të shkuarës dhe të ardhmes! Sali Berisha është pjesë e historisë së familjes tonë politike por asesi nuk mund të jetë rruga përmes së cilës ne duhet të shohim të ardhmen. Këtë duhet ta kuptoj çdo demokrat përtej mjegullnajës së qëllimshme të krijuar nga ata që edhe 8 vitet e opozitës nuk i rehabilituan për të shpërlarë llumin e abuzimit me pushtetin kur ne ishim në qeverisje. Sot është jo vetëm në interes të demokratëve por fillimisht të shqiptarëve që politika të gjej paqe dhe të pastrohet nga llumi i tranzicionit dhe nga njerëz që këto 30 vjet e kanë parë politikës si instrument për tu pasuruar përmes paligjsmërisë, abuzimit me pushtetin dhe bashkëpunimit me krimin e organizuar. Të besosh se një autokolonë makinash apo flamujt me simbolin e familjes sonë politike që valëviten në salla me kapacitete prej 200 personash, është tregues se baza e demokratëve ka zgjedhur të kthej kokën pas, duke besuar se lavdia do t’i çoj drejtë pushtetit është t’i marrësh ato burra dhe gra të nderuar për naivë. Ndryshimi do të bëhet me çdo kosto. Demokratët i besuan 4 muaj më parë, Lulzim Bashës drejtimin e PD dhe përballjen me regjimin. Përtej mjegullës dhe shfrytëzimit të emocioneve, PD është dhe do të mbetet një e vetme dhe vendi do të eci përpara. Praktikat e dështuara të 30 viteve tranzicion duhet të marrin fund. Si do të marrin fund? Me fjalë? Jo! Me vepra.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *