Deputeti i PD, Edmond Spaho ka qenë sot i ftuar në studion e lajmeve në Vizion Plus ku ka folur mbi situatën aktuale të PD dhe përçarjeve brenda saj.

Gjithashtu, Spaho shpjegoi arsyet pse vendosi t’i bashkohej “Foltores” së ish kryeministrit Sali Berisha. Ai theksoi se një ndër arsyet e forta të “braktisjes” së Bashës ishte kur ai vendosi të përjashtonte nga grupi parlamentar, ish kryeministrin, Sali Berisha.

“Që nga zgjedhjet e 25 Prillit janë ngritur shumë pikëpyetje lidhur me përgjegjësitë q ë ka lidershipi. Konstatova që kishte një ngutje për të zhvilluar zgjedhjet për kryetarin e partisë, për të vendosur njerëz të cilët mendojnë në të njëjtën mënyrë të pasuara të gjitha këto nga mungesa tërësore e analizës. U emrëuan në mënyrë jo statutore të gjithë drejtuesit e PD, pa kandidatura, pa votim të fshehtë. U premtua që do të faktohej masakra zgjedhore e 25 prillit, masakër ka pasur por, ne ngelëm në kuadrin e propagandës me fakte sipërfaqësore nuk vepruam si në vitin 2001. U premtua që do fillojë beteja në shtator. Në fakt beteja filloi me Berishën, me gruan, me rininë në vend që të fillonte me Ramën. Kapakun ja vuri me veprimin ndaj zotit Berisha ku në mënyrë personale vendosi përjashtimin e tij. Ka shumë vendime që janë marrë në këtë formë sidomos gjatë tre viteve të fundit”, u shpreh Spaho.

Më tej Spaho u pyet lidhur me reagimin e kryedemokratit Basha dhe Sekretarit të Pergjithshëm të PD, Gazment Bardhi për mbledhjen e firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Sipas tij, reagimi i tyre është tepër i pambështetur, ndërsa nënvizoi se “ne nuk luajmë me marifete të tilla, të falsifikojmë formularë”.

“Reagimi i tyre është tepër i pambështetur dhe është si ai njeriu që mbytet dhe kapet pas çdo fije kashte. Është Kuvend i jashtëzakonshëm nuk kalon përmes organeve të zgjedhura. Anëtarësia ka të drejtë të mbledhë Kuvendin me 25% të firmave të delegatëve. Rendi i ditës përcaktohet po nga delegatët. Ditën që zhvillohet Kuvendi ngrihet komisioni i mandateve dhe shqyrton delegatët, janë këta apo jo. Ne i kemi depozituar dhe le t’i verifikojë. I di shumë mirë sepse ke listat e gjithë anëtarëve të PD, por nuk ke vullnet politik sepse e dine që ato janë krejtësisht të sakta. Bardhi tha është bllof, ne nuk luajmë me marifete të tilla, të falsifikojmë formularë”, theksoi Spaho.

Më tej ai deklaroi se PD është në gjendjen më të keqe që ka pasur PD në 30 vite dhe sipas tij, i vetmi person që mund ta shpëtojë është Sali Berisha.

“Unë mendoj ne sot jemi në gjendjen më të keqe që ka pasur PD në 30 vite. Anëtarësia e PD e ka humbur shpresën që me Bashën mund të fitojë. Më dhemb shpirti kur Rama i thotë ‘unë ty të dua, unë me ty fitoj tërë jetën’. Kjo do të çojë në rrënimin tërësor të PD dhe kthimin në një forcë periferike. I vetmi person që mund të bashkojë PD, është Berisha, është themeluesi i PD, ka një përvojë të jashtëzakonshme politike. Është një nga politikanët më të sofistikuar në zonën e Ballkanit”, tha Spaho.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *