Maqedonia e Veriut ka shpallur katër here gjendjen e jashtëzakonshme në tre muajt e fundit, qëkurëse shpërtheu pandemia e koronavirusit, dhe nuk do të ketë një të pestë.

Vendimin e bëri të ditur kreu i shtetit fqinj, Stevo Pendarovski i cili ndër të tjera ka sqaruar se kjo nuk lidhet me mbajtjen e zgjedhjeve.

STEVO PENDAROVSKI

PRESIDENT I MAQEDONISE SE VERIUT

“Vlerësoj se në këtë moment nuk ka nevojë të shpall gjendje të re të jashtëzakonshme. Dekreti për zgjedhjet mund të ndryshohet, pasi edhe në kohën e pandemisë, e cila nuk do të kalojë shpejt, ato janë të domosdoshme për institucione legjitime.”.

Presidenti Stevo Pendarovski theksoi se vendi rrezikon të hyjë në një krizë të re nëse aktorët politikë nuk arrijnë dakordësinë për datën se kur do të mbahen zgjedhjet.

“Nëse nuk ka marrëveshje për proces zgjedhor gjithëpërfshirës, kjo do të thotë se do të përballemi me një krizë të re politike. Iu kërkoj liderëve të partive më të mëdha të ulen dhe t’i vendosin interesat shtetërore, përpara interesave të ngushta partiake. Në të kundërt, përveç krizës së brendshme do të dëmtohet edhe procesi I integrimit te vendit”.

Edhe kryeministri teknik, Oliver Spasovski, përmes rrjetit social Facebook, deklaroi se është e paarsyeshme që vendi të lihet pa Kuvend, me një qeveri kalimtare dhe me një opozitë destruktive.

Ndërkohë lideri i partisë në pushtet, Zoran Zaev deklaroi se ekziston mundësia për tu marrë vesh me opozitën deri të shtunën. Sipas Zaev, zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen më 8 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *