Teksa rreziku i një vale të dytë të epidemisë është në prag, si dhe disa shtete janë duke marrë masa kufizuese, ekonomia shqiptare nuk mund të përballojë një izolim tjetër, qoftë edhe të pjesshëm. Për kreun e Shoqatës së Bankave Silvio Pedrazzi, i ftuar në emisonin “E-Zone”, në “Vizion Plus”, një mbyllje e dytë do të ishte shkatërruese.

 

“Si në Europë, ashtu edhe në Shqipëri kriza jep një impakt negativ në rritjen e borxhit publik, po shpenzohen para për të financuar ekonominë dhe për të mbështetur qytetarët. U miratuan paketa mbështetjeje, u ulën taksat për t’u ardhur në ndihmë bizneseve. Një strategji e përdorur në çdo vend. Por kjo mbështetje i mbaroi efektet. Tani shohim që efektet e pandemisë vijojnë. Europa ishte ndër kontinentet që po e menxhonte situatën, por shohim shumë shtete kanë marrë masa të rrepta. Dhe secili thotë që nuk mund ta përballojë një mbyllje të dytë. Edhe ne nuk mund të kemi një izolim të dytë, do të ishte shkatërrues. Që ta shmangim këtë, duhet të bëjë secili prej nesh detyrën, të mbrojë veten dhe të tjerët.”

 

Por kriza në sistemin bankar pritet t’i shfaqë efektet pak më vonë, me rritjen e kredive të këqija.

 

“Bankat presin një rritje të kredive të këqija. Mund të them se është e sigurt që do të rriten. Pyetja është se kur do të shfaqet ky fenomen. Nëse ekonomia bie me 6, 7 apo 8%, dikush, diku do të ketë më pak lekë në xhep dhe këtu nis vështirësia. Fatmirësisht sistemi në Shqipëri është rezistent, i mirëkapitalizuar dhe likuid. Por do të na duhen edhe dy-tre muaj të tjerë për të parë ecurinë e mëtejshme të sjelljes së klientëve. Pasi siç e shihni, pandemia vijon të na përballë me sfida, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend tjetër.”

 

Pas muajit gusht, klientët në banka u janë rikthyer pagesave të rregullta të kësteve të kredive, pasi moratoriumi përfundoi afatin 6 mujor. Bankat kanë kohë deri në fund të vitit për rë rishikuar kontratat me klientët që janë në vështirësi ekonomike, por bankat thonë që ky afat të shtyhet përtej 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *