Ndërsa janë mbushur plotë 1000 ditë që nga pushtimi rus i Ukrainës Parlamenti Europian është mbledhur në një seancë të posaçme. Presidentja e PE-së Roberta Metsola shprehu mbështetjen për Kievin.
“Për 1000 ditë, ky parlament evropian ka qëndruar krah për krah me popullin e Ukrainës, i bashkuar dhe i palëkundur, dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën sot, nesër dhe çdo ditë për aq kohë sa duhet. Ky është një sulm jo vetëm ndaj Ukrainës, por ndaj rendit të bazuar në rregulla, një sulm ndaj vlerave dhe mënyrës sonë të jetesës, paqes, demokracisë dhe lirisë”, tha Metsola.
Në fjalën e tij presidenti ukrainas Volodymir Zelensky bëri thirrje për bashkim kundër agresorit si dhe për konfiskim të aseteve ruse.
“Edhe me Kim Jong-un të Koresë së Veriut në krah të tij, Putini mbetet më i vogël se forcat e bashkuara të Evropës. Rusisë do t’i mungojë motivimi i vërtetë për t’u përfshirë në negociata kuptimplote paqësore, pa zjarre në depot e saj të municioneve, pa ndërprerje të logjistikës së saj ushtarake, pa shkatërruar bazat ajrore ruse, pa humbur aftësitë për të prodhuar raketa dhe dronë, dhe pa konfiskimin e aseteve. Ju e dini shumë mirë se Putini nuk i vlerëson njerëzit apo rregullat, vetëm paratë dhe pushtetin. Këto janë gjërat që duhet t’i heqim atij për të rivendosur paqen”, tha Zelensky.
Në mbyllje të seancës, presidentja Metsola u shpreh se flamuri ukrainas do të valojë së bashku me atë të BE-së në ndërtesat e Parlamentit në Bruksel, Strasburg dhe Luksemburg.
Po ashtu në të njëjtën kohë ministrat e mbrojtjes të BE-së janë mbledhur në Bruksel ku shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të rreshtohen me Shtetet e Bashkuara për të lejuar Ukrainën të godasë brenda Rusisë duke përdorur raketa të dhuruara me rreze të gjatë veprimi./vizionplus.tv





