Shefi i kabinetit të kreut të PD, Dorjan Teliti shprehet se opozita e ka përshëndetur vendimin e qeverisë për mbajtjen e maskës me detyrim edhe në ambinetet e jashtme. Mirëpo, ai theksoi në edicionon qendror të lajmeve në “Vizion Plus” se shqetësimi i tyre lidhet me kostot për blerjen e maskave.

Sipas Telitit, qeveria duhet të ndihmojë financiarisht shtresat në nevojë.

“Çdo lloj mase për të mbrojtur shëndetin e njerëzve, opozita gjithmonë e ka përshëndetur. Gjithmonë do te jemi pro sugjerimit të çdo lloj mjeti nga OBSH. Shqetësimi që ne kemi ngritur është a kanë para shqiptarët për të blerë çdo ditë maska. Një maskë e thjeshtë kushton 100 lekë, një personi në muaj i duhen 30 mijë lekë. Ku t’i gjejnë paratë?  50 mijë personave që kanë humbur vendin e punës, tashmë i shtohet kjo barrë shtesë. Kryeministri duhet t’i ndihmojë financiarisht me lekët e taksapaguesve, jo me lekët e tij. Të subvencionojë shtresat që janë në nevojë.”

Sa i përket përgjysmimit të çmimit të naftës për fermerët, Teliti tha se ky premtim është bërë që në vitin 2013 nga kreu i qeverisë, por sipas tij rezultoi një dështim.

“Kemi thënë që ky është premtim i Ramës në 2013. Nuk e kemi kritikuar. Iu premtoi fermerëve naftë pa akcizë, nuk ua uli çmimin, por ua rriti me 240 lekë për litër. Në harkun kohor të 7 viteve, fermerët kanë paguar 100 mln euro, vetëm kosto shtesë, nga rritja e taksës së qarkullimit. Duhet t’i mbante premtimet, nuk duhet të tallet me shqiptarët.”

Për Dorjan Telitin, plani i PD-së me 5 pika ka për qëllim daljen nga kriza për 6 muaj. “Qeveria nëse do të marrë programin e PD për ta kopjuar, mos të marrë copëza, por ta marrë të plotë. Nuk jemi xhelozë. Plani ynë zgjat për të dalë nga kriza për 6 muaj, me një kosto mujore 52 milionë euro në muaj. Mundësia financiare është, qeveri shqiptare mjafton të ketë vullnetin për të implementuar atë”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *