Gazment Bardhi, në emër të Partisë Demokratike, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pasi deklaroi se nuk do të presë opinionin që do të jap Komisioni i Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Në një postim në “Facebook”, Bardhi shkruan se kreu i qeverisë frikësohet nga ekspertiza e Komisionit të Venecias.
Sipas tij, refuzimi që ka bërë Rama ndaj apelit të Oliver Varhelyi është një tjetër dëshmi se interesi i mafies është mbi interesin e Shqipërisë.
“Edi Rama duhet të shpjegojë pse ka frikë nga ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe pse i trembet zgjedhjeve demokratike sipas standarteve europiane. Shqiptarët nuk i kanë borxh Edi Ramës pengmarrjen e Shqipërisë. Refuzimi brutal i Edi Ramës ndaj apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi është një tjetër dëshmi që për Partinë Socialiste interesi i mafias është mbi interesin e Shqipërisë. Asnjë Kryeministër më parë nuk ka vënë në rrezik integrimin europian të Shqipërisë dhe nuk ka sfiduar hapur Bashkimin Europian për llogaritë e tij politike të ditës.”