Partia Demokratike reagoi për jetët e humbura në radhët e mjekëve e infemierëve për shkak të koronavirusit. Selia blu u shpreh në një postim në “Facebook” se largimi nga jeta i bluzave të bardha është i dhimshëm sepse ata janë një aset për shoqërinë.

 

“Përcjellim me trishtim të thellë lajmet e largimit nga jeta të mjekëve dhe infermierëve, që na shpëtojnë jetën dhe kujdesen për ne sa herë kemi nevojë! Janë bluzëbardhët, që kanë luftuar dhe punuar për të lehtësuar dhimbjet dhe sëmundjet e pacientëve. Çdo jetë e humbur është e dhimbshme, por humbja është më e madhe në rastin e personelit shëndetësor, sepse nuk ikën vetëm një njeri, prind apo familjar i shtrenjtë, por humbasim një aset të çmuar për shoqërinë jo vetëm në kohë pandemie.”

 

PD tha se është i nevojshëm një ndryshim që jetët e stafeve mjekësore të jenë më të mbrojtura.

 

“Respekt të pafund për gjithë punën, kontributin, gatishmërinë, përkushtimin dhe profesionalizmin deri në sakrificë të këtyre mjekëve dhe të gjithë personelit shëndetësor! Fatkeqësisht, Shqipëria ka numrin më të madh për banorë të mjekëve që kanë humbur jetën nga COVID 19. Na duhet ndryshim, që jeta e asnjë mjeku të mos jetë e rrezikuar për shkak të mungesës së pajisjeve mbrojtëse apo mungesave të tjera elementare në sistemin tonë shëndetësor.”

 

Një ditë më parë u nda nga jeta në Itali neurologu Drini Dobi, ndërsa sot humbi betejën me virusin pneumologia Flutura Hashrova.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *