PD reagoi pas refuzimit të socialistit Damian Gjiknuri për të mbledhur Këshillin Politik edhe këtë të mërkurë për të diskutuar për formulën për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përmes një deklarate për mediat, opozita kërkoi sqarime nga PS se cila pjesë e propozimit të saj nuk shkon.

 “Me cilën pjesë të propozimit nuk është dakord dhe arsyet pse, si dhe të bëjë një propozim të saj alternativ në përputhje me dakordësinë e 5 qershorit, pra sesi të garantohet me ligj konsultimi dhe ndarja proporcionale e anëtarëve të KQZ midis partive të mazhorancës dhe partive të opozitës, si dhe vendimmarrja konsensuale për cështje të rëndësishme të procesit zgjedhor.”

Opozita vuri në dukje se ajo, sipas saj, po mbron atë formulë të dakordësuar më 5 qershor.

“Komisioneri i Zgjedhjeve përzgjidhet në konsultim mes palëve, Zëvendës Komisioneri përzgjidhet nga partitë e opozitës, dhe anëtarët e Rregullatorit dhe KAS përzgjidhen nga partitë e mazhorancës dhe opozitës, të ndarë në mënyrë proporcionale. Drafti që mbron PS përcakton emërimin e të gjithëve anëtarëve të KQZ nga qeveria dhe opozitës i hiqet çdo garanci ekzistuese, në lidhje me propozimet dhe vendimarrjen. Theksojmë se garancitë ekzistuese për procesin zgjedhor të tilla si vendimmarrja me shumicë të kualifikuar aktualisht në fuqi në Kod, duhet të ruhen dhe nuk mund të zvogëlohen apo hiqen. E kundërta do të përbënte një hap prapa në kohë dhe standarte. Është e pashpjegueshme sesi PS kërkon të zhbëjë garanci që ekzistojnë aktualisht në Kodin Zgjedhor, mbi përcaktimin konsensual nga KQZ të rregullave të garës elektorale.”- thuhet në përgjigjen e opozitës.”

Damian Gjiknuri i dërgoi një email opozitës paraditen e kësaj të mërkurë ku theksoi se propozimi i PD është rrëzuar dhe nuk do të diskutohet më. Mazhoranca bëri të qartë se diskutimet do të rinisin kur PD të sjellë një propozim të ri për KQZ.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *