Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Gazmend Koduzi shprehet se me lehtësimin e masave, gjatë muajit maj dolën në pah problemet dhe dobësitë e sistemit shëndetësor. Ai shprehet se “Indeksi I sigurisë Shëndetësore Globale 2019” analizon se Shqipëria ka performuar shumë dobët në të 6 elementët e vlerësimit, por, sipas  tij, më dobët është në “praktikat e mbajtjes nën kontroll të infeksionit dhe gatishmëria e pajisjeve”.

Në një postim në Facebook, Koduzi tha se qeveria aplikoi për qytetarët masën më të vështirë, izolimin dhe masën më të lehtë për COVID-19, duke mos bërë teste.

 “Nga “Qeveria më e mirë” te “populli më i keq” në botë. Në fillim të epidemisë së covid-19, Qeveria vuri në zbatim masën më të lehtë për atë, dhe më të vështirën për qytetarët, izolimin. Kjo masë u pranua dhe u zbatua nga qytetarët, por nuk u pasua nga qeveria me masa të tjera për kontrollin e situatës. Kështu, qeveria nuk prokuroi testime dhe tampon, por u mbështet në donacione. Nisur nga masat ekstreme, konfuze, por edhe të zgjatura në kohë, qeveria shqiptare shpalli fitoren, duke thënë që është qeveria më e suksesshme në botë. Por me hapjen gjatë muajit maj, dolën në pah problemet dhe dobësitë e sistemit tonë shëndetësor. Qeveria nuk përgatiti sistemin për përballimin e sfidave të hapjes. Sipas analizës së sistemeve shëndetësore, “Indeksi I sigurisë Shëndetësore Globale 2019”, Shqipëria performon shumë dobët në të 6 elementët e vlerësimit, por më dobët është në “praktikat e mbajtjes nën kontroll të infeksionit dhe gatishmëria e pajisjeve”.”

Sipas tij, me hapjen dhe kthimin në normalitet të shërbimeve shëndetësore, spitalet dhe sidomos QSUT u kthye në vatër të shpërndarjes së infeksionit. Mes të tjerash, ai theksoi se mungesa e protokolleve për parandalimin e infeksioneve spitalore, testimin e personelit mjeksor, pacientëve që shtrohen dhe dalin nga spitali, ka bërë që kurba e rasteve aktive, të jetë sikur Shqipëria po hyn në kulmin e epidemisë.

“Për këtë shpërthim qeveria ja vuri fajin popullit! Nga ana tjetër, qeveria nuk kishte asnjë strategji për mbajtjen nën kontroll të përhapjes së virusit, sidomos përmes trinomit Testim – Ndjekje e rasteve – trajtim. Shqipëria ka kryer numrin më të vogël të testimeve në rajon, vetëm 8549 testime për milion banorë, disa herë më pak se fqinjët e tjerë. Nëse nuk kryhen mjaftueshëm testime, nuk mund të kapësh rastet e infektuara si pasojë nuk kryen dot as ndjekjen e rasteve. Pikerisht, mungesa e një strategjie të saktë, mungesa e besueshmërisë te shifrat e dhëna nga qeveria, ju hoqi shqiptarëve të drejtën e lëvizjes së lirë në Europë, të fituar me aq mund në v.2010. Qeveria duhet t’u japë llogari shqipatrëve cfarë strategjie ka dhe cilat janë masat që do të marrë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të covid-19.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *