Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka komentuar këtë të diel në “Vizion Plus” deklaratën e Lulzim Bashës, i cili theksoi se do t’i bashkohet thirrjes së presidentit Ilir Meta për tubim më 2 mars.

 

Çupi ritheksoi se forca demokratike del në mbështetje të kreut të shtetit, pasi sipas saj, ka denoncuar të njëjta problematika që PD ka ngritur në 7 vjet, ndërsa shtoi se kapja e e institucioneve të pavaruara nga qeveria është një formë e grushtit të shtetit.

 

“Jemi marrë me korrupsionin deri në momentin kur është aprovuar edhe nga ndërkombëtarët, jemi marrë me reformën në drejtësi. Kemi protestuar në vitin 2019 në mënyrë të vazhdueshme. Ato që ka thënë sot Meta i ka ngritur më herët opozita dhe PD. Më në fund, edhe ndërkombëtarët kuptuan që kjo qeverisje ka rrënuar gjithçka dhe ka sjellë dëme kolosale në ekonomi. Meta nuk është i PD dhe opozitës, ai është votuar nga PS. Kjo mazhoranca nuk mbështetet më nga shumica. Kushtetuta ka rënë, nuk kemi institucione të pakontrolluara, janë të varuara nga qeverisja.”

 

Mes të tjerash, Çupi garantoi se opozita ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme në përfundimin e reformës zgjedhore dhe nuk do ta pengojë miratimin e saj.

 

Sa i përket situatës alarmante të shkaktuar nga koronavirusi, Dhurata Çupi kërkoi nga qeveria që të jetë e përgatitur për t’u përballur me çdo rast.

 

“Qeveria duhet të jetë e përgjegjshme. Nëse pretendojnë që tërmeti i 26 nëntorit ishte i papritur, ky virus ka dy muaj tashmë që po trondit botën, përgjegjësia e qeverisë duhet të jetë në nivelin e duhur. Duhet të jemi të përgatitur. Nuk ka asnjë lloj justifikimi nga kjo qeveri, ndryshe nga sa ndodhi me tërmetin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *