Për herë të parë Partia Demokratike po mbledh firma tek anëtarët dhe mbështetësit e saj për t’u regjistruar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Sipas Kodit Zgjedhor që një parti të garojë në zgjedhje duhet të ketë ose një deputet ose të mbledhë 5 mijë firma; dhe pas djegies së mandateve kjo është e vetmja rrugë që legjitimon PD të marrë pjesë në garën e 25 prillit.

 

Kjo është e vetmja kosto që PD ka marrë pas djegies së mandateve në raport me zgjedhjet parlamentare; pasi ligji zgjedhor e njeh Partinë Demokratike si forcë parlamentare në rastin e ngritjes së KQZ dhe për të gjithë zinxhirin e administrimit të zgjedhjeve; po ashtu për fondet që partitë politike marrin nga buxheti i shtetit.

 

Në të njëjtën linjë edhe LSI po mbledh firmat e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo strategji është më shumë për të treguar se LSI nuk e njeh këtë parlament; pasi një prej deputetëve të kuvendit aktual, Gjetan Gjetani ka deklaruar zyrtarisht se i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim.

 

Ashtu si deputeti Gjetani; të gjithë deputetët e parlamentit kanë nisur procesin e vetëdeklarimit se cilës parti i përkasin.

 

Deputeti Korab Lita është regjistruar si deputet i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi si deputet i partisë së tij të re, Lëvizja Demokratike Shqiptare, Rudina Hajdari si deputete e Nismës Thurrje, Andi Permeti i Bindjes Demokratike.

 

Këto deklarime i shpëtojnë partitë e reja nga detyrimi për të paraqitur në KQZ 5 mijë firma duke e bërë më të thjeshtë procesin e regjistrimit të tyre në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *