Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi kërkoi që të gjithë pacientët me COVID të kenë trajtim të njëjtë mjekësor. Në një postim në “Facebook”, Patozi tha se mes tyre nuk duhet të ketë diferencime.

 

“Mendoj se të paktën të sëmurët nga pandemia duhet t’i konsiderojmë njësoj, minimumi me të njëjtën ndjesi njerëzore, dhe kjo qasje nuk duhet të vlejë vetëm për personelin mjekësor. Personalisht i uroj shërim të shpejtë fillimisht çdo shqiptari dhe pastaj cdo qytetari të botës, që përballet me armikun e padukshëm, pavarësisht asaj që ai përfaqëson. Petrit Vasilit, Blendi Klosit, Rudina Hajdarit, Damian Gjiknurit, Belind Këlliçit e kujtdo shqiptari tjetër, pa asnjë dallim nga flamujtë e partive apo të rangut shoqëror, që i përket, sepse as politika dhe as hierarkia nuk kanë lidhje fare me këtë çështje.”

 

Sipas Astrit Patozit, me rëndësi është edhe që të garantohet mbështetje për stafet mjekësore.

 

“E rëndësishme është që ne të mbështesim me çdo mundësi që kemi ata që janë në frontin e parë të luftës, mjekët, infermierët dhe çdo hallkë të sistemit shëndetësor të angazhuar në këtë betejë. Unë këtë e bëj pa asnjë hezitim dhe nuk më intereson hiç, nëse këta burra apo gra që po përballen me pandeminë në Shqipëri janë me qeverinë apo me opozitën. Dhe nuk e çoj ndër mend fare të bëj llogari elektorale me këtë flamë të keqe, e cila gati ka gjunjëzuar gjithë globin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *