Subscribe

Ngjarja e rëndë në Potam të Himarës ka frikësuar pushuesit në bregdetin shqiptar.

 

 

Pasiguria i shoqëron sa herë shohin mjete lundruese, por pas ndërhyrjes me aksion të policisë, qetësia mbizotëron në plazhe.

 

 

VASIL BEDINAJ

KREU I OPERATOREVE TURISTIKE PER JUGUN

 

“Ka një frikë, ndjesi që kanë njerëzit kur shohin një motor apo gomone që u lundron afër. Veç panikut që kanë njerëzit kur shohin një mjet lundrimi, por që për fat të mirë këto dy ditët e fundit ka qenë një qetësi absolute sepse janë bllokuar mjetet lundruese që e meritonin të pezulloheshin sepse nuk kishin dokumentacionin e duhur. Këto dy ditët e fundit kam qenë në det dhe është një qetësi absolute. Njerëzit po notojnë dhe ndihen shumë komodë me qetësinë, duke mos pasur jet ski 50 metra larg çadrës së tyre.”

 

 

 

Ngjarje të tilla njollosin imazhin e Shqipërisë edhe në sytë e turistëve të huaj. Edhe pse për këtë sezon turistik, deri tani nuk janë regjistruar anulime të rezervimeve prej tyre, me frikën se sezonin tjetër bregdeti ynë mund të shihet si i pasigurt, operatorët thonë se bllokimi i mjeteve lundruese nuk është zgjidhje, por duhet rregulluar përdorimi i tyre.

 

 

 

VASIL BEDINAJ

KREU I OPERATOREVE TURISTIKE PER JUGUN

 

 

“Duhet të fillojë nga A, nga pajisja e këtyre personave me patentë. Duhet të paguhet një tarifë dhe të mos e marrësh patentën pa bërë teorinë apo praktikën e duhur. Asnjë kapiten mjeti që ka kryer praktikën e duhur nuk bën këto incidente. Këta janë ata amatorët që kanë gjetur një copë letër si kapitenë.

 

Para dy vitesh është bërë një ligj që duhet të rregullonte të gjithë zinxhirin e bregdetit. Mungojnë disa nënligje që përcaktojnë qartë se kush duhet të pajiset me patenta, si dhe ku duhet të hyjnë e dalin. Duhen mësuar sa larg duhet të qëndrojnë, cilat janë kanalet kur dalim dhe hyjmë në tokë. Është një zinxhir që të studiojmë ligjin ashtu siç duhet.”

 

 

Aksioni i ditëve të fundit të policisë për të bllokuar thuajse çdo mjet lundrues, për operatorët turistikë nuk është diçka pozitive sepse ka edhe nga ata pushues që e kërkojnë këtë lloj shërbimi dhe shqipëria duhet të ofrojë të gjitha alternativat e turizmit, por në mënyrë të sigurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *