Lulzim Basha falenderoi të gjithë demokratët që i dhanë mandatin e tretë në krye të Partisë Demokratike.

 

Ndërsa e cilësoi një proces unik, ai tha se edhe njëherë Partia Demokratike ngrihet në lartësinë e emrit dhe të historisë së saj.

 

Ai premtoi se do të luftojë për të përmbushur qëllimin: një Shqipëri demokratike.

 

“Ju treguat me krenari që ne jemi në këmbë, që jemi të bashkuar, që jemi të fortë dhe, se pikërisht atëherë kur vështirësitë duken të pakapërcyëshme,  nuk dorëzohemi kurrë! Ndaj dua të falenderoj secilin prej jush, nga themeluesit tek anëtarët më të rinj, për ushtrimin më të bukur të demokracisë brenda partisë tonë, në një proces unik falë të cilit edhe njëherë Partia Demokratike ngrihet në lartësinë e emrit dhe të historisë së saj. Sepse, vëllezër dhe motra, në fund të kësaj gare ne nuk gëzojmë për fitoren e një kandidati apo zgjedhjen e një kryetari të ri, por, të gjithë bashkë, ne kremtojmë vlerat që na bashkojnë, vlerat mbi të cilat ngrihet kjo familje e madhe politike. Ato të garës, të lirisë dhe të meritokracisë. Që sigurisht ne duhet dhe do t’i përsosim edhe më shumë në muajt në vijim.”

 

Lideri demokrat tha se duke filluar nga sot, energjitë dhe përpjekjet e demokratëve do të shkojnë kundër kundërshtarit “të vetëm të shumicës së shqiptarëve, regjimit Rama-Doshi”.

 

“Padyshim ajo që na pret përpara nuk është më e lehtë se ajo që kemi lënë pas. Por, unë e di që me forcën që na kanë dhënë shqiptarët në 25 prill dhe me vendosmërinë që treguat nëpërmjet votës tuaj, shpresa për demokraci dhe për ndryshim nuk do të zhduket nga ky vend. Unë e di që bashkë me shumicën e shqiptarëve ne do ta rrëzojmë këtë regjim!  Prandaj ne do të luftojëm çdo ditë,  për çdo shqiptar, kundër cdo padrejtësie, me çdo mjet, në çdo forum, të brendshëm dhe të jashtëm, do marrim mbi supe cdo përgjegjësi që në sa më pak kohë t’I kthejmë vendit legjitimitetin dhe demokracinë. Bashkë, të gjithë bashkë, të sjellim një të ardhme më të mirë për për për fëmijët shqiptarë, për shqiptarët dhe Shqipërinë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *