Komisioni i ri europian i cili do të fillojë punën zyrtarisht më datë 1 dhjetor, do të përballet së pari me gjendjen e emergjencës për klimën e cila u deklarua nga Parlamenti një ditë më parë.

 

Eurodeputetët votuan një rezolutë duke bërë thirrje që kufiri i ngrohjes globale të mos i tejkalojë 1.5 gradë celsius, të arrihet neutralitet i klimës deri në vitin 2050 dhe të sigurohet mbështetje financiare nga vendet anëtare, në përpjekjet kundër ndryshimeve të klimës.

 

Deklarata u miratua me 429 vota pro dhe 225 kundër. Ndërsa në vijim do të jetë komisioni europian ai që do të garantojë propozimet e duhura legjislative dhe buxhetore për të arritur objektivin e kufizimit të ngrohjes globale në jo më shumë se 35.7 gradë.

 

Eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen të përfshijë një objektiv ulje prej 55% të emetimeve të gazrave serë deri në vitin 2030 në Marrëveshjen e Gjelbër Europiane.

 

Sipas ligjvënësve në parlamentin europian, vendet e unionit duhet të paktën të dyfishojnë kontributet e tyre në Fondin Ndërkombëtar të Klimës së Gjelbër.

 

Ata i bëjnë thirrje të gjitha vendeve të BE-së që të heqin dorë nga të gjitha subvencionet direkte dhe indirekte të lëndëve djegëse fosile deri në vitin 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *