Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko paralajmëroi se pas zgjedhjeve, drejtësia e re do të flasë.

 

Gjatë një interviste në studion e “Zgjedhje 2021” në “Vizion Plus”, Majko shpjegoi se goditjet nuk po bëhen para zgjedhjeve sepse mund të ndikojë në rezultat.

 

Ai vlerësoi reformimin e drejtësisë deri tani, ndërsa pranoi se ka korrupsion.

 

“Pas këtyre zgjedhjeve ne do të kemi lajme nga produkti i kësaj drejtësie të rindërtuar. Nuk mendoj se SPAK do të orientonte qëndrimet e veta para zgjedhjeve, do të ishte thjesht një influencim në rezultatin zgjedhor për njërën apo tjetrën palë. Para apo pas zgjedhjeve, reforma në drejtësi do të funksionojë, falë edhe partnerëve tanë. Mos prisni të them që në Shqipëri nuk ka korrupsion. Ne ishim të gatshëm të shkonim në zgjedhje të parakohshme, nëse reforma në drejtësi nuk miratohej. Betejat e humbura karshi korrupsionit janë beteja të humbura të drejtësisë, jo të politikanëve. Kemi kryer reformën që të kemi prokurorë e gjyqtarë që të hetojnë. Korrupsioni është një vepër penale personale. Nuk e kam pritur që goditja e vetingut do të ishte kaq e thellë. Ka ndryshuar sistemi, komplet. Nuk ka më një marrëdhënie që ne ju zgjedhim dhe ju nuk na ngacmoni. Nuk mund të akuzohet PS që nuk e ndryshuam sistemin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *