Ish-deputetja e PD, Orjola Pampuri reagoi pas inaugurimit që kryeministri Edi Rama i bëri godinës së re të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Pampuri tha në “Facebook” se Rama mburret kot sepse ilaçet që futen në Shqipëri nuk vlejnë.

 

“Dështimi dhe mashtrimi më i madh i Edi Ramës në këto 8 vjet është shëndetësia. Shëndetësia jo vetëm nuk u bë falas, por shqiptarët po paguajnë shtrenjtë bashkëpunimin e Edi Ramës me Mafian e Ilaçeve. Me ligjin klientelist 6 vjet më parë, ai hoqi sigurinë e ilaçeve dhe në Shqipëri hyn çdo lloj ilaçi, i pacertifikuar. Të gjithë e kanë provuar të paktën 1 herë se shumica e ilaçeve, që hyjnë  në Shqipëri, nuk bëjnë efekt. Shqiptarët i blejnë ilaçet më shtrenjtë se të gjithë. Një herë blejnë këto të skaduarat e Edi Ramës, një herë tjetër blejnë ato që nuk disbursohen, ose i porosisin jashtë vendit.”

 

Pampuri akuzoi kreun e qeverisë se ka zgjedhur mafian e ilaçeve para qytetarëve. Sipas saj, ilaçet tona dëmtojnë shëndetin e qytetarëve dhe nuk mund të përdoren për shërimin e tyre.

 

“Fasada e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Paisjeve Mjekësore nuk shërben për shëndetin e njerëzve. Nga institucion i specializuar për kontrollin, analizën regjistrimin e barnave dhe kontrollin e veprimtarive farmaceutike, Agjencia në të cilën Rama u mburr sot, është kthyer në zyrë noterie të interesave abuzive, klienteliste e deri kriminale të grupeve të lidhura me qeverinë. Aty nuk kryhen prej vitesh analiza për cilësinë dhe efikasitetin e barnave. Edi Rama gënjen edhe për herceptinën, ilaçin e të sëmurëve me tumor. Asnjëherë  në qeverisjen e tij nuk pati furnizim të mjaftueshëm dhe të sëmurët krhehen në shtëpi pa marrë mjekimin e duhur.”

 

Edi Rama tha sot se që nga viti 2014 është punuar për rritjen e cilësisë së medikamenteve dhe  uljen e çmimeve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *